Hasimja: Dihet që zgjedhjet blihen, por nëse do të kishte një opozitë të mirë do tejkalohej blerja

Në një intervistë për RTV Ora, politologu Ermal Hasimja u shpreh se të gjitha e dimë që zgjedhjet kanë probleme dhe shiten e blihen votat.

Ai tha se beson se ka më shumë shqiptarë që duan një vend normal, sesa nga ata që e shesin votën për 100 euro ose për një vend pune.

Hasimja: Të gjitha e dimë që zgjedhjet kanë probleme dhe shiten e blihen votat. Po ashtu e dimë si funksionojnë fushatat dhe si premtohet vendet e punës dhe tenderat. Këto janë fatura që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Një pjesë e mirë e administratës publike janë parazitë dhe paguhen me rroga të mirë, dhe për të cilët shqetësohet Rama, pasi i japin le të themi nga 4 vota secili. Këto gjëra dihen. Situata nuk do të ndryshojë sepse këta njerëz do të mendojnë ndryshe, por sepse opozita do të jetë e unifikuar duke u përfaqësuar edhe nga ata që i kanë të rëndësishme parimet dhe nuk e pranon vjedhjen.

Që të ndryshojë situata nuk mund t’ia vësh fajin njerëzve për fitoren e Rilindjes, sepse votat blihen nga të dyja palët, por nëse në Shqipëri do të kishte besim në opozitë, është plotësisht e mundshme që kjo dallgë klienteliste që ka ngritur Rama mund të tejkalohet plotësisht. Besoj se ka më shumë shqiptarë që duan një vend normal, sesa nga ata që e shesin votën për 100 euro ose për një vend pune. Opozita jep mesazhin  e përçarë, ndërsa një pjesë e atyre që votojnë për të djathtën nuk kanë votuar këtë herë. Prandaj opozita duhet të reflektojë për këtë gjë.

EMISIONET