Shqipëria në Top 20 destinacionet më të lira në botë/ “Skyscanner” zbulon pse turistët po zgjedhin Rivierën Shqiptare

Shqipëria në Top 20 destinacionet më të lira në

Shqipëria renditet mes 20 destinacioneve më të lira në botë për pushime, sipas medias spanjolle “Skyscanner”, e cila e cilëson vendin tonë si një nga alternativat më të mira për turistët që kërkojnë çmime të përballueshme, natyrë mbresëlënëse dhe përvoja autentike.

Në artikull theksohet se Shqipëria ofron disa nga brigjet më tërheqëse të Mesdheut, ndërsa kostot e pushimeve mbeten më të ulëta krahasuar me destinacione të njohura si Greqia, Kroacia apo Italia.

Vëmendje e veçantë i kushtohet Rivierës Shqiptare, me plazhet me ujëra të kristalta, fshatrat piktoreskë dhe peizazhet ku malet zbresin drejt detit. Ksamili, Himara dhe Dhërmiu përmenden si destinacione që vijojnë të ruajnë bukurinë dhe autenticitetin e tyre, ndërsa çmimet konsiderohen ende konkurruese edhe gjatë sezonit veror.

Por Shqipëria nuk ofron vetëm turizëm bregdetar. “Skyscanner” veçon gjithashtu Beratin dhe Gjirokastrën, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si edhe Alpet Shqiptare, të cilat përshkruhen si një nga zonat më tërheqëse për ecje malore në Evropë.

Sipas medias spanjolle, një turist mund t’i përballojë pushimet në Shqipëri me një buxhet ditor prej 40 deri në 70 euro. Kjo e bën vendin një alternativë të favorshme për ata që kërkojnë të shijojnë Mesdheun, klimën e ngrohtë dhe pasurinë kulturore, pa kostot e larta të destinacioneve tradicionale.

Në listë, krahas Shqipërisë, janë përfshirë edhe Tajlanda, Portugalia, Rumania, Maroku, India, Peruja dhe Nepali.

EMISIONET