RRUGË PËR ZJARRFIKËSIT NË PYJE! Prefektura e Tiranës nis hapjen e korridoreve në zonat pyjore
Në zonat kodrinore dhe malore të Qarkut të Tiranës po hapen rrugë pyjore për të lehtësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Prefekti Shkëlqim Hajdari gjatë inspektimit të punës, kërkoi tolerancë zero për zjarrvnësit.
Në zonat pyjore të Qarkut të Tiranës do të hapen korridore për kalimin e mjeteve zjarrfikëse, si pjesë e një plani masash për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve gjatë sezonit të nxehtë.
Gjatë inspektimit të punimeve në terren, prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, kërkoi masa ndëshkuese ndaj kujtdo që shkakton zjarre, qoftë nga pakujdesia apo në mënyrë të qëllimshme.
Drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Julinda Dhame, deklaroi se është hartuar një plan i posaçëm kundër zjarreve dhe janë ngritur grupe të përbashkëta pune me institucionet e tjera, me synim parandalimin dhe ndërhyrjen në kohë.
Në të gjithë Qarkun e Tiranës është miratuar hapja e 100 kilometrave rrugë pyjore, së bashku me degëzimet përkatëse.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, u bëri thirrje banorëve të fshatrave dhe zonave pyjore të tregojnë kujdes të shtuar.
Javën e ardhshme do të nisë hapja e rrugëve pyjore në zonat Bërzhitë–Petrelë–Pëllumbas dhe Zall-Herr–Herras–Zall-Bastar.
Këto rrugë do të shërbejnë jo vetëm për ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, por edhe për turistët që frekuentojnë zonat kodrinore të Tiranës.

