Grupi me 6 persona në vrasjen dhe zhdukjes e Sulovarit-Theodhorit. SPAK shfaq interes për dosjen
Në kulmin e protestave dhe kërkesave publike të familjarëve të dy të zhdukurve Leonard Theodhori “Koçole” dhe Fatos Sulovari, Policia e Vlorës dhe prokuroria e Sarandës, kanë rënë në gjurmë të autorëve të këtij krimi.
Së fundmi gjykata e Sarandës, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Sofokli Baxherin, i cili akuzohet për “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Por situata ende vijon të mbetet e mjegullt për sa i përket, zbulimit të vendit ku janë fshehur trupat e pajetë të dy personave Theodhori dhe Sulovari.
“Ora News” mëson se gjatë këtyre 26 ditëve, grupi hetimor që po ndjek rastin, ka arritur të sigurojë prova shkencore si ADN dhe gjurmë gishti, pamje filmike, që tregojnë implikimin e 6 personave në rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Theodhorit dhe Sulovarit
Në bazë të këtyre provave pritet që prokuroria të kërkojë ndalimin e 6 personave, si individë që kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen dy të rinjve në Sarandë.
Arrestimet pritet të zhvillohen këtë fundjave, ndërsa mësohet se personat kanë vepruar si grup kriminal, duke pasur role të caktuara.
“Ora News” ka mësuar se për rrethanat e zhdukjes së Sulovarit dhe Theodhorit, ka shfaqur interes dhe prokuroria e Posaçme SPAK, e cila ka shumë gjasa të marrë në dorë hetimin e kësaj dosjeje të rëndësishme.
Anëtarët e Grupit Kriminal që kanë kryer krimin, veprojnë në qytetin e Sarandës dhe Tiranë. Ndërsa aktiviteti kryesor i tyre është trafiku i drogës në Greqi.
Deri në këtë fazë ku ndodhet çështje, është provuar se i arrestuari Sofokli Baxheri, është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qera në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është gjendur dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari.
Baxheri, ka çuar personat në ambientet e shtëpisë në Nivicë dhe është larguar. Ai ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qera një personi që jetonte jashtë shtetit.
Por policia dhe prokuroria e Sarandës, janë të bindur që pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.
Makina tjetër tip “Benz-Mercedez” me targa të vjedhura në Tiranë, prej muajit dhjetor 2022 është mbajtur qenë një banesë në fshatin Nivicë.