Shëndetësia në transformim, Sala: Nis krijimi i Institutit Onkologjik Kombëtar!

Shëndetësia në transformim, Sala: Nis krijimi i Institutit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka prezantuar prioritetet strategjike dhe reformat kryesore që po ndërmerren në sistemin shëndetësor shqiptar gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja bëri të ditur se ka nisur procesi i konsultimit për krijimin e Institutit Onkologjik Kombëtar, një strukturë që synon të shërbejë si qendër reference për sëmundjet tumorale, njësi kërkimore-shkencore dhe koordinatore e Rrjetit Kombëtar të Onkologjisë.

Sipas Salës, paralelisht me këtë projekt po ndërtohet edhe Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë, me synimin që pacientët në të gjithë vendin të kenë akses në shërbime të standardizuara dhe kujdes të koordinuar.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me Listën e Barnave të Rimbursueshme 2026, e cila përfshin 55 barna alternative tregtare të reja dhe 27 principe aktive të reja. Kjo pritet të zgjerojë mundësitë e trajtimit për pacientët me sëmundje tumorale, hematologjike, diabet, sklerozë multiple, sëmundje kardiovaskulare dhe patologji të tjera me ndikim të lartë në shëndetin publik.

Ministrja njoftoi gjithashtu se për vitin 2026 do të alokohen 1.5 miliardë lekë shtesë për barna onkologjike inovative, duke rritur me 16% buxhetin e dedikuar për barnat krahasuar me vitin e kaluar.

Në fushën e infrastrukturës shëndetësore, Sala theksoi se tashmë është vënë në funksion Akseleratori i tretë Linear për trajtimin e pacientëve onkologjikë, ndërsa brenda vitit synohet instalimi i Akseleratorit të katërt. Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, pritet të ofrohen shërbimet e PET Scanner dhe Brakiterapisë.

Gjatë takimit u prezantua edhe reforma farmaceutike, e cila parashikon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian përmes projektligjit të ri “Për produktet mjekësore për përdorim në njerëz”.

Sipas ministres, reforma synon të garantojë më shumë siguri, cilësi dhe akses në terapi inovative për pacientët, si dhe të forcojë sistemin e farmakovigjilencës dhe kapacitetet e institucioneve përgjegjëse.

Një ndër prioritetet kryesore mbetet edhe digjitalizimi i sistemit shëndetësor. Sala deklaroi se nga 1 gushti spitalet publike në vend do të funksionojnë në mënyrë elektronike, duke mundësuar një sistem të integruar për menaxhimin e të dhënave, referimeve dhe koordinimin e kujdesit shëndetësor.

Në përfundim, ministrja vlerësoi bashkëpunimin me komunitetin e biznesit dhe industrinë farmaceutike, duke theksuar se dialogu me partnerët mbetet kyç për ndërtimin e një sistemi shëndetësor modern dhe të harmonizuar me standardet europiane.

EMISIONET