Trump feston 80-vjetorin me spektakël UFC në Shtëpinë e Bardhë, të pranishëm politikanë, miliarderë dhe yje të sportit!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka festuar 80-vjetorin e lindjes me një ngjarje të pazakontë të organizuar në lëndinën jugore të White House, ku u zhvillua një event i madh i UFC-së, sportit të arteve marciale mikse.
Sipas raportimeve të medias amerikane, arena e përkohshme ishte ngritur përballë rezidencës presidenciale, ndërsa presidenti amerikan ndoqi ndeshjet nga afër së bashku me bashkëshorten e tij, Melania Trump. Në mesin e të ftuarve ndodheshin edhe pesë fëmijët e Trump dhe pjesa më e madhe e familjes së tij.

Mijëra persona morën pjesë në aktivitetin që u zhvillua nën një strukturë gjigante çeliku, ndërsa Shtëpia e Bardhë shërbeu si sfond i spektaklit sportiv. Për organizimin e eventit u përdorën edhe disa ambiente të kompleksit presidencial, ku luftëtarët u përgatitën para ndeshjeve.
Në aktivitet morën pjesë figura të njohura nga politika, biznesi dhe sporti. Mes tyre ishin Mark Zuckerberg, Ted Cruz, John Thune, si dhe drejtues të lartë të administratës amerikane.
Të pranishëm ishin gjithashtu këngëtari Kid Rock, ish-ylli i bejsbollit Roger Clemens dhe pronari i ekipit New England Patriots, Robert Kraft.
Gjatë mbrëmjes nuk munguan momentet spektakolare. Luftëtarët festuan fitoret pranë presidentit amerikan, ndërsa komentatori i njohur Joe Rogan analizoi përballjet në arenë. Në ekranet gjigante u transmetuan edhe video të ndryshme, përfshirë materiale që lidhen me ushtrinë amerikane dhe administratën Trump.
Ngjarja u interpretua nga shumë media si një tjetër shembull i mënyrës se si Trump ka ndërthurur politikën me botën e argëtimit gjatë gjithë karrierës së tij publike. Marrëdhënia e tij me sportet e luftimit daton prej dekadash, që nga organizimi i ndeshjeve të famshme të boksit të Mike Tyson në fund të viteve 1980, deri te bashkëpunimi i ngushtë me presidentin e UFC-së, Dana White.

Sipas vëzhguesve, organizimi i një eventi të UFC-së në zemër të Shtëpisë së Bardhë përfaqëson një nga aktivitetet më të pazakonta të mbajtura ndonjëherë në rezidencën presidenciale amerikane, duke kombinuar sportin, politikën dhe spektaklin në një mbrëmje që tërhoqi vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë SHBA-së.

