“Mbi 50 mijë procedime penale në 2025”, kryeprokurori Olsian Çela raporton në Komisionin e Ligjeve: Kriminaliteti në rritje

Në raportin vjetor të prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, evidentohet një rritje e lehtë e kriminalitetit gjatë vitit 2025, por edhe një rritje e ndjeshme e efikasitetit në ndjekjen penale dhe përfaqësimin e çështjeve në gjykatë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë trajtuar mbi 66 mijë materiale dhe janë regjistruar mbi 27 mijë procedime të reja penale, me një rritje krahasuar me një vit më parë. Të dhënat tregojnë se 76% e procedimeve i përkasin krimeve, ndërsa 24% kundërvajtjeve, ku peshën më të madhe e zënë veprat kundër rendit dhe sigurisë publike dhe vjedhja e pasurisë.
Raporti thekson se mbi 42% e çështjeve janë dërguar për gjykim, ndërsa pjesa tjetër janë pushuar ose pezulluar. Gjykatat kanë dënuar mbi 10 mijë persona, me një rritje prej rreth 9% krahasuar me vitin e kaluar.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar masave të sigurimit, ku në mbi gjysmën e rasteve janë kërkuar masa arresti, si dhe forcimit të hetimeve proaktive, veçanërisht në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Sipas raportit, janë sekuestruar dhe konfiskuar asete kriminale me vlera të konsiderueshme, ndërsa bashkëpunimi me Prokurorinë e Posaçme dhe partnerët ndërkombëtarë është rritur ndjeshëm, duke përfshirë edhe transferimin e dhjetëra çështjeve të rëndësishme.
Në fokus mbetet edhe dhuna në familje, e cila ka shënuar rritje të lehtë të procedimeve, por me një nivel të lartë ndjekjeje penale, ku mbi 80% e rasteve janë dërguar për gjykim.
Për vitin 2026, Prokuroria ka vendosur si prioritet forcimin e hetimeve për krimet kundër personit dhe pronës, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e efikasitetit dhe digjitalizimin e sistemit të drejtësisë.
RAPORTI I PLOTË – Gjatë vitit 2025, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm u angazhuan me profesionalizëm në të gjitha nivelet, në bashkëpunim dhe koordinim institucional me Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, institucionet e tjera ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë, duke arritur rezultate pozitive në veprimtarinë hetimore dhe në zbatimin e drejtësisë penale përballë një ngarkese të lartë pune, ashtu siç pasqyrohet në vijim të këtij raporti.
I. TREGUESIT KRYESORË SIPAS FAZAVE TË PROCEDIMIT PENAL
1. Treguesit e hetimeve paraprake, pesha dhe tendencat e tyre
Gjatë vitit 2025, në organin e prokurorisë janë trajtuar 66397 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 8,55 % në krahasim me vitin 2024. Janë ndjekur gjithsej 50121 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 5,35 % në krahasim me vitin 2024, nga të cilat: 27077 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 8,50 % në krahasim me vitin 2024; 22860 janë procedime penale të mbartura, me një rritje prej 1,87 % krahasuar me vitin 2024 dhe 184 janë procedime penale të rifilluara. Është vendosur mosfillimi për 16276 referime dhe kallëzime penale, që përbën një rritje prej gati 20 % në krahasim me vitin 2024.
Edhe në vitin 2025 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me me 36,62 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në vijim prokuroritë, Durrës 9,51 %; Korçë 7,48 %; Shkodër 7,31 %; Fier 7,08 %; Vlorë 7,01 %; Elbasan 5,59 %; Lezhë 4,99 %; Sarandë 4,23 %; Gjirokastër 2,86 %; Berat 2,50 %; Kukës 2,45 %; Dibër 2,38 % të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2025 është 1145, ndërsa në vitin 2024 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 1037.
Sa i përket raportit mes krimeve dhe kundërvajtjeve, bazuar në statistikat e vitit 2025, rezulton se 76 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 24 % i përkasin kundërvajtjeve penale .
Sa i përket raportit të grupveprave me numrin total të procedimeve dhe tendencave të kriminalitetit, ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë, janë veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike, me 33 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve penale të regjistruara për vitin 2025 dhe rritje 13 % krahasuar me vitin 2024. Në vijim, vjedhja e pasurisë që përbën 21 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve penale të regjistruara dhe rezulton me ulje rreth 2 %; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes përbëjnë 7 % dhe kanë pësuar rritje 2 %; veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës përbëjnë 8 % dhe kanë pësuar rritje prej 51 %; veprat penale kundër shkatërrimit të pronës përbëjnë 3 % dhe kanë pësuar ulje 12 %, dhe veprat penale kundër kundër shëndetit të kryera me dashje, përbëjnë rreth 3 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në prokurori gjatë vitit 2025 dhe kanë pësuar rritje 5 %.
II.EFICENCA NË PËRFUNDIMIN E NDJEKJES PENALE DHE E KËRKESAVE NË GJYKATË
1. Eficenca në hetimet hetimet paraprake dhe ndjekjen penale
Gjatë vitit 2025 janë përfunduar 24491 çështje prej të cilave: 42,46 % janë dërguar për gjykim (10399 çështje me akuzë ndaj 12249 të pandehurve), 27,58 % janë pushuar, 27,78 % janë pezulluar dhe 2,18 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
Janë paraqitur në gjykatë 13904 kërkesa lidhur me masat e sigurimit personal. Të dhënat statistikore për caktimin e masave të sigurimit shtrënguese për vitin 2025 tregojnë se, për 59,31 % të të pandehurve të regjistruar (34,99 % të personave në hetim) është kërkuar caktimi i një mase sigurimi shtrënguese. Ndërkohë, rezulton se 56 % e kërkesave, lidhet me caktimin e një mase sigurimi me arrest, masa këto të kërkuara për 33,25 % të të pandehurve të regjistruar (19,56 % të personave në hetim). Ndërkohë që në vitin 2024, për pothuaj 60 % të të pandehurve të regjistruar (gati 34 % të personave në hetim) është kërkuar caktimi i një mase sigurimi shtrënguese. Ndërkohë, rezulton se 59,51 % e kërkesave, lidhet me caktimin e një mase sigurimi me arrest, masa këto të kërkuara për 35,69 % të të pandehurve të regjistruar (20,21 % të personave në hetim).
Sa i përket kërkesave për miratim të urdhrit penal, vazhdoi një tendencë në ulje, me vetëm 83 të tilla, dhe po në ulje rezultojnë kërkesat për miratimin e marrëveshjeve të fajësisë me 144 kërkesa, ndërsa gjykimi i drejtpërdrejtë, rezulton në rritje me 519 çështje.
2. Eficenca në kërkesat për gjykim dhe përfaqësimin e çështjes/akuzës në gjykatë
Gjatë vitit 2025 nga prokuroritë pranë gjykatës të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit shqiptar për 10423 procedime penale me 12273 të pandehur.
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2025 janë dënuar 10903 të pandehur që krahasuar me vitin 2024 përbën rritje rritje 9 % të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 375 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm.
Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2025 urdhrat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë të dënimeve kryesore me burgim, gjobë dhe dënime plotësuese, zënë 37,45 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori, ndërsa urdhrat për ekzekutim të dënimeve alternative zënë 62,55 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori. Krahasuar me vitin 2024, urdhrat e ekzekutimit për dënimet me burgim të përjetshëm, me burgim, me gjobë dhe dënime plotësuese kanë pësuar një ulje prej 1,37 %, ndërsa ato për dënimet alternative kanë pësuar një rritje prej 19,66 %.
Gjatë vitit 2025 janë ekzekutuar 5083 vendime, ndërsa kanë mbetur pa u ekzekutuar 1230 vendime. Numri i vendimeve të mbetura pa ekzekutuar sipas llojit të tyre është: 331 vendime me burgim, 149 vendime për dënime me gjobë, 5 dënime plotësuese dhe 745 dënime alternative.
3. Efektiviteti i ndjekjes penale për disa grupvepra penale me tendencë në rritje ose në ulje sipas shtrirjes gjeografike, në vitin 2025
Evidentohet se në vitin 2025 janë filluar kryesisht 161 procedime penale që përbën rritje 3,87 % të numrit të procedimeve të filluara kryesisht krahasuar me vitin 2024. Peshën më të madhe në këto raste e përbëjnë vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike 42,24 %, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, 21,12 %; veprat penale kundër kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik, 14,28 % e totalit, dhe vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve 6,21 %. Rritja e numrit të çështjeve të filluara kryesisht është kërkesë e vazhdueshme, e cila pavarësisht se nuk është ende në nivelin e duhur, nga viti në vit ka pësuar gjithmonë rritje. Një nga arsyet kryesore vijon të mbetet mbingarkesa e cila kufizon prokurorët në ushtrimin e këtij diskrecioni ligjor.
Prokurorët në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, për vitin 2025 kanë kryer hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 356 procedimeve penale. Ky proces i ka shërbyer si parandalimit dhe/ose ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 236 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
Në shifra të përgjithshme, gjatë vitit 2025 janë ekzekutuar 822 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 406 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 1771 pajisje fundore në përdorim të 1642 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
Hetimi gjithëpërfshirës i kryer nga prokurorët e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm në kuadër të hetimit dhe ndjekjes penale për vepra në kompetencë lëndore të tyre, si dhe vlerësimi i të dhënave/indicieve të përftuara nga përdorimi i mjeteve të posaçme të hetimit, ka çuar në zbulimin e veprave penale të kryera në kuadër të krimit të organizuar dhe veprave penale të korrupsionit, në kompetencë lëndore të Prokurorisë së Posaçme. Të dhënat statistikore tregojnë se për vitin 2025, në zbatim Kodit të Procedurës Penale dhe të Aktit të Koordinimit Institucional, datë 15.12.2020 “Për rritjen e eficiencës nëpërmjet, bashkërendimit të Prokurorisë së Përgjithshme me Prokurorinë e Posaçme”, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë transferuar 56 procedime/referime penale, prej të cilave në Prokurorinë e Posaçme janë pranuar 41 procedime/referime për grup vepra kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ose të lidhura me detyrën, në kompetencë lëndore të asaj prokurorie.
3.2 Referuar të dhënave statistikore të vitit 2025, për grupveprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën në kompetencë të juridiksionit të përgjithshëm, janë regjistruar 625 procedime me 155 të pandehur dhe 182 procedime me 368 të pandehur janë dërguar për gjykim.
Prokurorët kanë rritur rolin aktiv për veprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën duke filluar kryesisht 20 procedime penale dhe në kryerjen e hetime proaktive, në 24 procedime penale. Ky proces i ka shërbyer si parandalimit dhe/ose ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 6 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
3.3 Të dhënat statistikore për vitin 2025 tregojnë progres në të gjithë treguesit e ndjekjes penale për grupveprat e pastrimit të parave, ku rezulton se numri i procedimeve dërguar për gjykim është rritur 35,29 % dhe numri i të pandehurve dërguar për gjykim është rritur me 24,24 %.
3.4 Në zbatim të nenit 3/1 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, në kuadrin e procedimeve/hetimeve pasurore, për vitin 2025 në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm janë regjistruar 210 verifikime pasurore. Ndërkohë në kuadrin e hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas nenit 287 të Kodit Penal si dhe në zbatim të nenit 36 të Kodit Penal dhe neneve 274 dhe/ose 210, 190 e vijues të Kodit të Procedurës Penale dhe në zbatim të ligjit nr. 10192/2009, pas kërkesave të prokurorëve gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive/aseteve kriminale në total, në kuadrin e 12 çështjeve dhe sekuestrime pasurie/asete kriminale në kuadrin e 29 çështjeve.
Pasuritë e sekuestruara kanë qenë në vlera relativisht të mëdha, ku vlera totale e aseteve të sekuestruara arrin rreth 4,057,000,000 lekë dhe e aseteve të konfiskuara rreth 305,000,000 lekë.
3.5 Referuar të dhënave statistikore, për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal, ka një tendencë rritje për vitin 2025, pasi janë regjistruar 1683 procedime penale, me 1089 të pandehur ose me rritje 1,63 % të procedimeve dhe ulje 12,04 % të të pandehurve të regjistruar krahasuar me vitin 2024. Janë dërguar për gjykim 1168 procedime me 1246 të pandehur, ose me rritje prej 3,91 % të procedimeve dhe rritje 4,36 % e të pandehurve të dërguar për gjykim, në krahasim me vitin 2024.
Efektiviteti i ndjekjes penale në kryerjen e hetimeve dhe ndjekjen për veprën penale të dhunës në familje në vitin 2025 është i lartë, ku evidentohet se kemi një rritje prej 3,91 % të procedimeve të dërguara për gjykim krahasuar me vitin 2024, ndërkohë që raporti i çështjeve të dërguara në gjyq është shumë më i lartë krahasuar me ato të pushuara (80,05 % dërguar gjyqit dhe 19,95 % të pushuara).
Lidhur me ashpërsimin e politikës penale për veprën penale “Dhuna në familje” parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal, të dhënat statistikore evidentojnë se kërkesat e prokurorit lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer këtë vepër janë të ashpra, ku 91,04 % janë kërkesa për masa sigurimi me arrest, që përbën rritje në krahasim me vitin 2024 ku kërkesat për arrest ishin më masën 88,86 %. Lidhur me kërkesat për caktimin e dënimit, për të pandehurit e akuzuar për këtë vepër penale rezultojnë se 62,45 % e kërkesave janë për caktimin e dënimit me burg dhe 37,55 % e kërkesave janë për caktimin e alternativave të dënimit me burg.
3.6 Për vepra penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, sipas të dhënave statistikore të vitit 2025 rezulton se janë regjistruar 68 procedime penale dhe 15 të pandehur dhe janë dërguar për gjykim 14 procedime penale me 30 të pandehur. Ndërkohë rezultojnë 7 të pandehur të dënuar nga gjykata. Peshën më të lartë në këto procedime e zënë vepra penale e parashikuar nga neni 328/a i Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, për të cilën janë regjistruar 17 procedime penale ose 25 % dhe vepra penale e parashikuar nga neni 327 “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, për të cilën janë regjistruar 17 procedime penale ose 25 % e numrit total të procedimeve regjistruar për këtë grupvepër.
III. Bashkëpunimi ndërkombëtar
Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar punën për rritjen e eficencës në bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore të huaja në fushën penale. Në këtë kuadër, është nënshkruar një marrëveshje e re ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Lartë të Shtetit të Malit të Zi.
Të dhënat kryesore të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar të administruara në sistemin elektronik IMPRO për vitin 2025 tregojnë rritje të numrit të ekstradimeve nga Shqipëria për jashtë vendit me 28 % (nga 137 në 176), rritje të numrit të letërporosive për jashtë me 24 % ( nga 539 në 723), ku vlen të theksohet se megjithë vështirësitë që kemi hasur për shkak të vakancave të theksuara në organikë, përqindja e ekzekutimit të letërporosive nga ana jonë është 46 % ndaj 24 % të atyre të ekzekutuara nga autoritetet e huaja, çka tregon për prioritetin që ka pasur për prokurorinë bashkëpunimi ndërkombëtar.
Prokurori i Përgjithshëm në cilësinë e përfaqësuesit të autoritetit kompetent ka vijuar zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Eurojust, nëpërmjet veprimtarisë të Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë në Eurojust. Referuar të dhënave nga Zyra e Prokurorit Ndërlidhës Shqiptar në Eurojust, në vitin 2025, mbi 311 raste që përfshijnë Shqipërinë. Zyra Shqiptare në Eurojust vijon mbështetjen e 27 skuadrave të përbashkëta hetimore, 5 prej të cilave janë krijuar gjatë vitit 2025. Autoritetet shqiptare kanë organizuar 3 takime koordinimi dhe kanë marrë pjesë në 24 takime të tilla si të ftuar.
IV. Dekriminalizimi
Gjatë vitit 2025 nga Sektori i Dekriminalizimit është ndjekur procesi i verifikimit të thelluar të të dhënave të vetëdeklaruara në formular, në zbatim të ligjit nr. 138/2015, për 121 subjekte. Nga 73 kërkesa të reja, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 65 procese për verifikim të thelluar në zbatim të ligjit nr. 138/2015. Këto procese, sipas organeve kompetente që kanë kërkuar verifikimin e thelluar të të dhënave të vetëdeklaruara në formularë nga subjektet, për vitin 2025, ju përkasin, 48 kërkesave të bëra nga Departamenti Administratës Publike dhe 17 të bëra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë vitit 2025 janë përfunduar 77 procese për verifikim të thelluar nga të cilat 44 vendime janë procese të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 33 vendime janë procese të mbartura nga vitet 2020 – 2024.
Nga rastet për të cilat ka përfunduar procesi i verifikimit të thelluar në vitin 2025 dhe miratuar rezultati, mbështetur në nenet 69, 74 e 76 të Kodit të Procedurës Penale, për 20 persona, materiali është kaluar për kompetencë në prokuroritë përkatëse, si të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Personat që kanë rezultuar të kenë plotësuar formularin e vetëdeklarimit me të dhëna të rreme, ju përkasin kërkesave për verifikim të ardhura si vijon:
– 14 nga Departamenti i Administratës Publike;
– 6 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
V. Përmirësimi i infrastrukturës për rritjen e eficiencës në prokurori
Gjatë vitit 2025 përfunduan investimet në prokuroritë Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë si dhe ambjentet arkivore të Prokurorisë Elbasan. Në funksion të rritjes së sigurisë janë pajisur të gjitha godinat me mjete detektuese kundër metaleve dhe me punonjës sigurie për të cilët na u dha mbështetja nga ky komision parlamentar me buxhetin e vitit 2026.
Mbetet shumë problematike situata e infrastrukturës në Tiranë dhe Sarandë, ndërkohë që me plotësimin e organikave parashikohet rëndimi i situatës në Durrës dhe Fier. Situata në këtë drejtim paraqitet mjaft komplekse sa i takon zgjidhjes në një afat të arsyeshëm, pavarësisht se ka një angazhim nga ana e qeverisë në rastin e Tiranës.
Ndërkohë ka vijuar normalisht puna për ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve në prokurori, proces i cili parashikohet të mbyllet në vitin 2028.
VI. Objektivat 2026
Me synim përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor të prokurorisë, rritjen e mëtejshme të efektivitetit të ndjekjes penale, ngritjes dhe përfaqësimit të akuzës në gjyq, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit në procesin penal, prioritetet tona institucionale janë:
– Ndjekja me efikasitet dhe efiçencë e rekomandimeve në luftën ndaj kriminalitetit duke u fokusuar në mirëfunksionimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të prokurorisë, si dhe në koordinimin dhe bashkërendimin institucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, në drejtimet më poshtë:
i) rritjen e efektivitetit në hetimin dhe ndjekjen të krimeve kundër personit dhe pronës, duke u fokusuar në përmirësimin e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe përdorimin efikas të burimeve teknike e njerëzore;
ii) vijimin e punës së nisur në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit dhe udhëzimit të përgjithshëm nr. 10/2020, për rritjen më tej të efektivitetit në hetimet, ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë për veprat penale të pastrimit të produkteve kriminale, krimet financiare dhe hetimet pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, me fokus të veçantë veprat penale në fushën e taksave dhe tatimeve;
iii) vijimi i koordinimit dhe bashkëpunimit efikas të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm me Prokurorinë e Posaçme, në drejtim hetimit dhe ndjekjes penale të veprave penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar;
iv) vijimin e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet homologe dhe organizmat ndërkombëtarë, në funksion të përmbushjes së detyrimeve të procesit të integrimit evropian dhe rekomandimeve të Moneyval dhe FATF, për rritjen e efektivitetit në hetimin dhe ndjekjen penale të kriminalitetit ndërkufitar, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, përdorimit të instrumenteve të ndihmës juridike ndërkombëtare, zhvillimit të hetimeve të përbashkëta dhe përafrimit me praktikat më të mira ndërkombëtare.
– Vijimi i punës për forcimin e kapaciteteve institucionale për rritjen e eficiencës në veprimtarinë hetimore dhe administrative.
– Të vijojë rritja më tej e veprimtarisë mbikëqyrëse për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme të detyrueshme dhe e bashkëpunimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë në drejtim të koordinimit të aktiviteteve, shkëmbimit të informacionit, identifikimit të shkeljeve disiplinore apo etike dhe problemeve të performancës së zyrave të prokurorive.
– Të vijojë rritja më tej e efiçencës së bashkërendimit dhe koordinimit me Komisionin e Policisë Gjyqësore dhe me agjencitë ligjzbatuese të përfshira, për forcimin e kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore në strukturat përkatëse të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore.
– Të vijojë sigurimin e bashkëpunimit për krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjes.
– Të vijojë plotësimi/përditësimi i kuadrit nënligjor me qëllim përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes penale, garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut në procesin penal dhe harmonizimin me praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe reflektimin e nevojave të punës së prokurorive.
– Përmirësimi i menaxhimit të organizimit të brendshëm të punës, me synim uljen e mbingarkesës, rritjen e eficiencës në trajtimin e çështjeve dhe garantimin e një shpërndarjeje të balancuar të ngarkesës së punës ndërmjet prokurorëve, duke u mbështetur gjithashtu në përdorimin e teknologjisë dhe digjitalizimin e proceseve.
– Rritja e bashkëpunimit dhe transparencës në marrëdhëniet me publikun dhe median, në funksion të informimit të publikut, forcimit të besimit te prokuroria dhe nxitjes së raportimit të krimit.
– Vijimin e angazhimit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian me përmbushjen e detyrimeve institucionale në luftën kundër kriminalitetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.


