Gjykata e Lartë 'rrëzon' nënën e Kryemadhit, mbetet në GJKKO dosja me akuzat për pastrim parash dhe shumat e pajustifikuara

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Fatime Kryemadhit për të mos u gjykuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me vendimin e Kolegjit Penal, mbetet në fuqi vendimi i GJKKO-së dhe procesi gjyqësor ndaj saj do të vijojë në këtë gjykatë.
Kryemadhi kishte paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar vendimin e ndërmjetëm të 15 qershorit të GJKKO-së, e cila nuk pranoi kërkesën e saj për shpalljen e moskompetencës lëndore.
Ajo kërkonte që çështja penale ndaj saj të kalonte për gjykim në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë Tiranë, duke argumentuar se nuk duhej të shqyrtohej nga Gjykata e Posaçme.
Vendimi i Gjykatës së Lartë lë në fuqi kompetencën e GJKKO-së për këtë çështje, ku Kryemadhi është marrë e pandehur për pastrim parash.
Sipas SPAK, në hetim janë disa shuma parash dhe transaksione për të cilat pretendohet se nuk është provuar burimi i ligjshëm.
Mes tyre përfshihen 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, si dhe 100 mijë euro të deklaruara si pagesa nga kompania “Agi Cons” për shlyerjen e kredive.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur gjithashtu dyshime për rreth 310 mijë euro të tjera, të cilat sipas akuzës konsiderohen me burim të pajustifikuar.
Sipas SPAK, për blerjen e apartamenteve janë përdorur kredi bankare, por shlyerja e tyre është bërë me para në dorë, për të cilat pretendohet se nuk ka dokumentacion që provon origjinën e ligjshme.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, çështja ndaj Fatime Kryemadhit vijon në Gjykatën e Posaçme, ndërsa procesi do të zhvillohet sipas procedurës së përcaktuar nga GJKKO.


