Aksident fatal në Portin e Durrësit/ U godit nga kamioni teksa dorëzonte dokumentet, humb jetën 62-vjeçari

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar paraditen e kësaj të marte në Portin e Durrësit, ku një drejtues kamioni ka humbur jetën pasi është përplasur nga një tjetër mjet i tonazhit të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në sheshin para skanerit të portit, ku sipas informacionit paraprak të policisë, shtetasi N. M., 49 vjeç, banues në Berat, duke drejtuar një kamion, dyshohet se ka goditur aksidentalisht shtetasin N. Sh., 62 vjeç, banues në Kosovë.
62-vjeçari, i cili ishte drejtues i një kamioni tjetër, mësohet se po lëvizte në këmbë për të dorëzuar dokumentacionin e mjetit të tij për procedurën e kalimit në skaner, kur është përplasur nga kamioni.
Si pasojë e goditjes, ai ka humbur jetën në vendngjarje.
Pas aksidentit, drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ndërsa ndaj tij po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në aksidentin fatal.


