“Siguria është zero”/ Zhupa publikon PAMJET nga bypass-i Sarandë-Himarë: Gurë në rrugë dhe shkëmbinj mbi kokat e drejtuesve

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka publikuar një video nga kantieri i bypass-it të ri në aksin Sarandë–Himarë, ku ngre shqetësime për mungesën e masave të sigurisë gjatë punimeve.
Përmes pamjeve të publikuara, Zhupa denoncon praninë e gurëve në rrugë, shkëmbinj që sipas saj paraqesin rrezik për shembje, si dhe mungesën e sinjalistikës dhe barrierave mbrojtëse për drejtuesit e automjeteve.
Sipas saj, situata krijon rrezik për qytetarët dhe turistët që përdorin çdo ditë një nga akset më të frekuentuara të jugut të vendit, veçanërisht gjatë sezonit veror kur fluksi i lëvizjeve është më i lartë.
“Rruga e re e bypass-it në aksin Sarandë-Himarë po ndërtohet pa masat minimale të sigurisë. Gurë të rënë në rrugë, shkëmbinj që rrezikojnë të shemben, makineri që punojnë pa shenja dalluese dhe pa tabela sinjalizuese”, shprehet Zhupa.
Ajo kërkon ndërhyrje të menjëhershme për vendosjen e masave mbrojtëse dhe garantimin e sigurisë në këtë segment rrugor.
Bypass-i Sarandë-Himarë është një nga projektet kryesore infrastrukturore në jug të vendit dhe përdoret nga mijëra qytetarë e vizitorë, sidomos gjatë muajve të verës. Ndërkohë, pritet reagimi i institucioneve përgjegjëse për situatën e denoncuar.


