Të shtëna me a*më zjarri drejt Konsullatës Amerikane në Toronto/ Autorët largohen me shpejtësi

Persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri drejt Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në qendër të Torontos, në një incident të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Sipas Policisë së Torontos, një roje sigurie dëgjoi të paktën një të shtënë rreth orës 04:46 me orën lokale. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë, ndërsa ndërtesa pësoi dëmtime të vogla. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Dëshmitarët kanë parë një automjet të bardhë që u largua me shpejtësi nga zona menjëherë pas të shtënave. Policia nisi ndjekjen e mjetit të dyshuar, por e ndërpreu për arsye sigurie. Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person dhe motivi i sulmit mbetet i paqartë.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet amerikane.
Ky është sulmi i dytë ndaj Konsullatës Amerikane në Toronto brenda katër muajve. Edhe në muajin mars, persona të armatosur qëlluan ndaj objektit diplomatik pa shkaktuar viktima, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse dy incidentet kanë lidhje me njëri-tjetrin.


