Partizani nis spastrimin, tre futbollistë largohen nga planet e Bratut

Partizani nis spastrimin, tre futbollistë largohen nga planet e Bratut

Partizani ka nisur riformatimin e skuadrës për sezonin e ri, jo vetëm me përforcime, por edhe me largime nga organika. Teksa të kuqtë vijojnë përgatitjet në Pogradec nën drejtimin e trajnerit Florin Bratu, tre futbollistë nuk janë më pjesë e planeve të stafit teknik.

Bëhet fjalë për Adnard Mehmetin, Gjergji Koten dhe Besar Gudjufin, të cilët nuk janë përfshirë në grupin e skuadrës gjatë fazës përgatitore, duke sinjalizuar një ndryshim në të ardhmen e tyre me fanellën e Partizanit.

Situata e tre lojtarëve nuk është e njëjtë. Për Adnard Mehmetin nuk parashikohet një ndarje përfundimtare, pasi klubi po shqyrton mundësinë e një huazimi te Vllaznia. Kjo do të ishte një lëvizje e ngjashme me atë që Partizani ka ndjekur edhe më parë me lojtarë që kanë pasur nevojë për më shumë hapësira aktivizimi.

Edhe Gjergji Kote pritet të largohet në formë huazimi, me një mundësi konkrete që mesfushori të vijojë karrierën në Superligën e Kosovës, ku do të mund të fitojë më shumë minuta në fushë.

Ndryshe paraqitet situata e Besar Gudjufit. Sulmuesi i krahut, i afruar në janar të vitit 2025 si një alternativë për repartin ofensiv, nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e klubit. Për këtë arsye, palët po diskutojnë për mbylljen e bashkëpunimit.

22-vjeçari ka nisur kontaktet me Drenicën, ekip që militon në Superligën e Kosovës, por ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes palëve.

Vendimet e reja të stafit teknik vijojnë të njëjtën linjë me atë të ish-trajnerit Oltijon Kërnaja, i cili gjithashtu nuk i kishte në planet e tij Mehmetin, Koten dhe Gudjufin.

Tashmë priten vetëm zyrtarizimet e destinacioneve të reja, me dy futbollistë që duket se do të largohen përmes huazimit dhe Gudjufin që është pranë përfundimit të aventurës së tij me Partizanin.

EMISIONET