FOTO+VIDEO/ Aksident i frikshëm në Këlcyrë. Tentoi t'i ikë policisë, përplaset makina me klandestinë, 8 viktima
8 persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në aksin rrugor Përmet-Këlcyrë, pasi mjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në anë të lumit Vjosa.
Ngjarja u shënua rreth orës 04 00 të mëngjesit të kësaj të marte, pranë fshatit Kuqar.
Siç njofton policia 7 viktima dyshohet të jenë klandestinë nga vende të treta, ndërsa i teti është shoferi i mjetit. Ky i fundit është identifikuar si Edison Bregaj, nga Shkodra!
Këto pamje tregojnë se përplasja ka qenë e fortë dhe mjeti është shkatërruar thuajse plotësisht.
Tetë personat që udhëtonin në makinë kanë ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve të rënda që kanë marrë.
E gjithë dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, dhe në hetim, por nga të dhënat e para dyshohet se tragjedia në rrugë ka pasuar një tentativë të trafikut të klandestinëve.
Edison Bregaj ka qenë duke transportuar emigrantët me makinë, kur është pikasur nga shërbimet e policisë në rrugën nga Përmet Këlcyrë.
Për ti shpëtuar arrestimit ai ka shtuar shpejtësinë, por në një pikë të rrugës ka humbur kontrollin e mjetit që përfundoi në shtratin e lumit Vjosa.
Me 8 jetë të humbura ky është aksidenti me bilancin më të rëndë të shënuar vitet e fundit në vendin tonë.
Për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e prokurorisë në ndihmë të të cilëve pritet të shkojnë edhe ekspertë nga Tirana.
Njoftimi i policisë:
Këlcyrë/Informacion paraprak
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.