DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat më të shtrenjë për "5D"-në e Qatos dhe Mollës

DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat

Bashkia e Tiranës i ka dhënë tenderat më të shtrenjtë kompanisë ‘5D’ shpk, megjithëse as Prokuroria dhe as Gjykata e Posaçme nuk guxojnë t’i përmendin emrin titullarit të Autoritetit Kontraktor, Erion Veliaj.

Në dosjen hetimore ‘5D’, Prokuroria e Posaçme ka identifikuar të paktën 11 procedura tenderuese abuzive, të shpërndara: 6 nga Ujësjellësi i Tiranës, një nga ‘Tirana Parking’, një nga ‘Klubi Sportiv Tirana’ dhe 3 nga Bashkia e Tiranës.

Referuar të dhënave zyrtare, rezulton se Bashkia e Tiranës ka ‘dhuruar’ tenderat më të shtrenjtë kompanisë me pronarë faktikë Mariglen Qato dhe Redi Molla, të dy drejtorë të rëndësishëm në varësinë e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Fondi total i tre tenderave që ka fituar ‘5D’ shpk (ish V.A.S Construction’ nga Bashkia e Veliajt arrin në vlerën 860.8 milionë lekë të reja ose rreth 8.5 milionë euro.

Rruga e Mulletit

Në qershor të vitit 2019, Bashkia e Tiranës shpall tenderin me objekt ‘Ndërtimi i segmentit rrugor nga rreth-rrotullimi Mullet deri tek ura e fshatit Qeha’. Fondi limit për këtë procedurë ishte përcaktuar në shumën 208.243.180 lekë të reja.

Në procedurë marrin pjesë 12 konkurentë, mes të cilëve edhe bashkimi i operatorëve ‘V.A.S Construction’ dhe ‘Sterkaj’.

Në përfundim, ky bashkim operatorësh u shpall fitues, në shkelje të ligjit, siç konstaton Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme në vendimin për masën e sigurisë ndaj Mariglen Qatos, Redi Mollës dhe të tjerë zyrtarëve të Bashkisë Tiranë e institucionet e varësisë.

DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat
Në foto: Tenderi për segmentin rrugor Mullet-fshati Qeha

Për këtë procedurë, Gjykata e Posaçme konstaton se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), i përbërë nga Taulant Tusha, Drejtor i Punëve Publike në Bashki; Enton Punavija, Drejtor i Transportit në Bashki; dhe Albano Janku, zyrtar në Bashkinë e Tiranës, kanë favorizuar kompaninë ‘V.A.S Construction’ (5D), megjithëse nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në tender.

DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat
Në foto: Shkeljet e konstatuara në vendimin e gjykatës për tenderin “Ndërtimi i segmentit rrugor Mullet-fshati Qeha

Sipas Gjykatës, tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbajnë përgjegjësi ligjore për shkeljet e ligjit të Prokurimev, duke u dyshuar si autorë të veprës penale ‘Shkeljes së barazisë në tendera.

Biçikletat e Liqenit të Thatë

Në 4 Tetor 2021, titullari i Autoritetit Kontraktor (Erion Veliaj, i cili nuk përmendet me emër në vendimin e Gjykatës së Posaçme) urdhëron nisjen e procedurës tenderuese me objekt ‘Ndërtimi pedonale dhe korsi biçikletash, Liqeni i Thatë’.

Fondi limit për këtë procedurë ishte 69.600.572 lekë të reja dhe në tender marrin pjesë 22 operatorë ekonomikë.

Në dhjetor të vitit 2021, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) në Bashkinë e Tiranë, i përbërë nga Taulant Tusha, Enton Punavija dhe Julian Zanaj, shpallin fitues kompaninë ‘5D’ shpk.

DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat
Në foto: Tenderi për ndërtimin e korsisë së biçikletave në zonën e Liqenit të Thatë

Edhe në të rast, hetimi i SPAK-ut ka identifikuar problematika të ndryshme në dokumentat e kompanisë ‘5D’, të cilat janë toleruar nga KVO-ja.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se ‘5D’ (ish V.A.S Construction’) ka pasur mungesa në makineritë e nevojshme, si edhe në stafin e specializuar.

Për të njëjtat arsye, nga ky tender janë skualifikuar disa prej operatorëve garues. Ndërkohë që, për kompaninë ‘5D’, zyrtarët e tenderit kanë mbyllur sytë, duke e kualifikuar dhe madje duke e shpallur edhe fitues.

DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat
Në foto: Shkeljet e evidentuara në vendimin e Gjykatës për tenderin “Ndërtim i korsisë së biçikletave, Liqeni i Thatë”

Për këtë procedurë, SPAK-u ka cituar në dosje edhe një komunikim telefonik, me mesazhe, ndërmjet administratorit të kompanisë ‘5D’ shpk, Nestor Muhametllari dhe Redi Mollës, i dyshuar si një nga dy pronarët faktik të shoqërisë.

Biseda rezulton të jetë kryer në datë 12 nëntor 2021, pikërisht në kohën që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë Tiranë po shqyrtonte dokumentacionin e kompanive pjesëmarrëse në garë:

Nestor Muhametllari: Ok, L.Thatë. Erdhi përgjigjja

Redi Molla: Nonaaaaaa

DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat
Në foto: Pjesë nga vendimi i gjykatës, ku evidentohet komunikimi mes Nestor Muhametllari dhe Redi Molla për tenderin e Liqenit të Thatë

Ky komunikim është një prej detajeve, mbi të cilat SPAK-u ka krijuar dyshime se Redi Molla, drejtori jetëgjatë i Ujësjellësit të Tiranës, fshihej pas kompanisë ‘5D’ shpk.

Rehabilitimi i qendrës Kinostudio

Në 22 shtator 2022, titullari i Bashkisë së Tiranës (sërish nuk përmendet emri i Veliaj në vendimin e gjykatës), urdhëron nisjen e procedurës së prokurimit publik me objekt: ‘Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio’, me fond limit 583.046.084 lekë të reja.

Në procedurë marrin pjesë 12 operatorë ekonomikë. Në përfundim KVO-ja, e përbërë sërish me titullar Taulant Tusha dhe anëtarë Enton Punavija e Julian Zanaj, shpall fitues bashkimin e operatorëve ‘5D’ shpk dhe ‘Bami’ shpk.

DOKUMENTET/ "8.5 mln euro" - Bashkia e Tiranës i dha tenderat
Në foto: Rezultatet e tenderit për rehabilitimin e qendrës Kinostudio

Kjo procedurë rezulton të jetë më e shtrenjta që ka fituar ‘5D’ shpk (ish-V.A.S Construction’ në tenderat e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e saj të varësisë.

Në këtë rast, hetimi i SPAK-ut ka zbuluar se asnjë prej dy operatorëve nuk plotësonte disa prej kritereve të përcaktuara në dokumentat e tenderit.

Megjithatë, KVO e ka kualifikuar, duke e shpallur edhe fitues kompaninë ‘5D’, në shkelje të ligjit.

Për këto procedura të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurimit ‘arrest me burg’ për kryetarin e KVO-së, Taulant Tusha, i cili gjendet në paraburgim edhe për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Ndërkohë, për anëtarët e tjerë, Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, gjykata caktoi masën e ‘detyrimit për paraqitje’, të gjithë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të ‘shkeljes së barazisë në tendera.

Burimi: Boldnews.al

EMISIONET