Bajrami i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Nuk ka dialog të besueshëm sa kohë Serbia pretendon territorin e Kosovës

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke kritikuar qasjen e Beogradit ndaj Kosovës dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
Bajrami ka shpërndarë reagimin e Demokratëve Evropianë, të cilët kanë vlerësuar se deklaratat e vazhdueshme të Vuçiqit se Kosova është pjesë e Serbisë dëmtojnë dialogun dhe stabilitetin në rajon.
Në reagimin e tij në platformën “X”, Bajrami ka theksuar se Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj dhe se një proces i besueshëm dialogu nuk mund të funksionojë për sa kohë, sipas tij, Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës.
“Beogradi vazhdon të mohojë realitetin dhe të riciklojë gjuhën e viteve 1990. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë pretendon territorin e palës tjetër. Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka kritikuar gjithashtu deklarata të zyrtarëve serbë, përfshirë edhe atë të ministres Snezhana Paunoviq, duke thënë se retorika e tillë pengon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.
Dialogu Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, vijon të përballet me tensione dhe mosmarrëveshje të thella, ndërsa Prishtina kërkon njohjen e realitetit të krijuar pas shpalljes së pavarësisë dhe Beogradi vazhdon të mos e njohë atë.


