Avni Spahiu: Kosova duhet të ruajë marrëdhëniet me SHBA-në, gabimet kanë lëkundur besimin

Avni Spahiu: Kosova duhet të ruajë marrëdhëniet me

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, ka bërë thirrje që Kosova të tregojë më shumë kujdes në menaxhimin e marrëdhënieve me Washingtonin, duke vlerësuar se disa veprime ndër vite kanë ndikuar në besimin mes dy vendeve.

Në një intervistë për podcastin “PIKË”, Spahiu tha se mbështetja amerikane për Kosovën nuk duhet të konsiderohet si diçka e garantuar, pavarësisht lidhjeve strategjike dhe interesave të përbashkëta.

“Shumë thonë se Amerika e ka ndihmuar Kosovën për shkak të interesave të saj. Në rregull, por edhe interesi ynë ka qenë të jemi me Amerikën, prandaj kjo nuk mund të merret si argument”, u shpreh Spahiu.

Ai theksoi se në një kohë kur vendet e rajonit kërkojnë afrimin me SHBA-në, Kosova duhet të shmangë vendimet që mund të krijojnë paqartësi ose të dëmtojnë besueshmërinë e saj tek aleati kryesor.

Sipas Spahiut, gabime në raportet me Washingtonin janë bërë jo vetëm nga qeveria aktuale, por edhe nga qeveritë e mëparshme, kryesisht për shkak të mungesës së konsultimeve dhe njoftimeve paraprake për disa vendime.

Megjithatë, ai vlerësoi se këto veprime nuk kanë sjellë një përçarje të madhe në marrëdhëniet Kosovë–SHBA, por duhet të shërbejnë si një mësim për ruajtjen e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.

EMISIONET