Halili: Spanja është një filozofi, një projekt i nisur vite më përpara
Kombëtarja spanjolle është konfirmuar si ekipi më i qëndrueshëm gjatë gjithë turneut, duke dominuar përmes një filozofie të qartë: qarkullimit të pandërprerë të topit. Megjithatë, kjo strategji mbizotëruese ka shfaqur një problem të theksuar në finalizim. Skuadra nuk shënon shumë gola dhe ka vuajtur vazhdimisht për të gjetur rrugën e rrjetës, siç u pa qartë edhe në përballjen ndaj Argjentinës.
I ftuar në emisionin "Ora Sport" në Ora News, Gazetari Sportiv, Erjon Halili u shpreh se arma më e fortë e këtij ekipi mbetet mbajtja e topit, një taktikë që i lë kundërshtarët me shumë pak mundësi për t'u organizuar.
Kjo mënyrë loje, shpesh e mbushur me pasime të thjeshta e në dukje mediokre, arrin të nervozojë jo vetëm tifozët që e ndjekin nga ekranet, por sidomos lojtarët kundërshtarë. Kur një ekip sheh që vrapon bosh për minuta të tëra pa e prekur topin, e humbet fillin e lojës dhe e ka të pamundur të krijojë raste.
Ai theksoi se ky dominim i jashtëzakonshëm nuk është i rastësishëm. Ai është fryt i një projekti të nisur vite më parë. Të gjithë futbollistët spanjollë punojnë me të njëjtën filozofi që në shkollat e moshave, duke u mësuar të mbajnë topin dhe të presin momentin e duhur për të goditur. Kur këta lojtarë bashkohen në ekipin e parë, ata veprojnë në një sinkron aq të përsosur sa krijojnë një mozaik të vërtetë futbollistik, duke sjellë edhe rezultate maksimale.
"Ka mbajtur të njëjtin ritëm, të njëjtën mënyrë loje, të njëjtën filozofi, dominante me qarkullim topi dhe edhe finalja nuk mund të ishte ndryshe nga ndeshjet e tjera sepse i gjithë ky dominim është konkretizuar në fakt me pak finalizim, pra nuk ka qenë Spanja ajo skuadra që shënonte shumë gola.
Ka vuajtur gjithmonë për të gjetur rrjetën dhe prandaj vuajti dhe ndaj Argjentinës. Megjithatë, ata kanë një armë shumë të fortë mbajtjen e topit, sepse ne themi nuk gjuajti Argjentina, por mënyra se si Spanja e qarkullon topin, të jep shumë pak mundësi të organizohesh dhe shpesh Spanja na nervozon edhe ne tifozëve që e shohim, ato pasimet e thjeshta ashtu, në dukje mediokre, na bën ndonjëherë ta humbim interesin ndaj ndeshjes, jo më kundërshtari në fushë, që shikon që xhiron bosh për minuta të tëra dhe nuk arrin të vihet në zotërim të topit, sigurisht që e humbin dhe ata fillin dhe e kanë të vështirë të organizohen e të krijojnë mundësi.
Kështu që Spanja është një filozofi, një projekt i nisur vite më përpara, janë të gjithë futbollistët që në shkollat e tyre të futbollit që në moshë, punojnë me të njëjtën filozofi, pra mbajtjen e topit, dominimin dhe gjetjen e momentit të duhur për të goditur, dhe pikërisht kjo bën që kur vijnë në të tilla momente, të gjithë janë aq në sinkron me njëri-tjetrin sa formojnë një mozaik të jashtëzakonshëm, shumë të bukur për t'u parë dhe mbi të gjitha shumë rezultativ, sepse ka bërë të njëjtin rrugëtim nga fillimi në fund, i ka munguar fati në ndeshjen e parë me Kep Verden sepse sigurisht e thamë surprizë, por Spanja ka pasur minimalisht pesë ose gjashtë raste të pastra shënimi"
NDIQNI EMISIONIN E PLOTE



