“Greqia, armiku imagjinar”/ Berisha: Idiotësi! Turizmi shqiptar ka nevojë për zgjidhje, jo teori konspirative!

Kryedemokrati Sali Berisha tha se krahasimi që kryeministri Edi Rama iu bëri protestuesve që janë ngritur kundër tij me Adolf Hitlerin është një akt i rëndë.

Në bashkëbisedimin që po mban me ndjekësit, kryedemokrati tha se kryeministri është tashmë i “damkosur” si kurrë më parë para shqiptarëve dhe botës.

“Të krahasosh sloganin e Mithat Frashërit ‘Shqipëria, shqiptarëve’, me sloganin e Adolf Hitlerit se ky vend është vetëm i juaji, me të cilin ai organizoi Holokaustin, krimin e njerëzimit më të shëmtuar të kohërave, do të thotë të jesh i çmendur, do të thotë të kesh humbur çdo sens nga realiteti yt. Edi Rama është tashmë i damkosur si kurrë më parë para shqiptarëve dhe botës.”, tha Berisha.

Ai po ashtu e cilësoi si “çmenduri” tentativën sipas tij të kryeministrit se protesta për Zvërnecin është nxitur nga një luftë hibride nga ana e Greqisë për të dëmtuar investimin që do të bëjë Jared Kushner.

Sipas kreut demokrat, është absurde të aludohet se Greqia, një nga fuqitë më të mëdha turistike në rajon dhe në botë, me mbi 3 mijë kilometra vijë bregdetare dhe destinacione të konsoliduara ndërkombëtarisht, do të shihte si kërcënim investimet që po realizohen në bregdetin shqiptar.

"Nuk mund të gjesh justifikime duke shpikur armiq të jashtëm. Turizmi shqiptar ka nevojë për politika serioze dhe zgjidhje konkrete, jo për teori konspirative dhe alibi", tha Berisha gjatë bashkëbisedimit online.

“Deklaron në mediat më të mëdha të botës me paturpësinë më të madhe se jemi në një luftë hibride duke aluduar kështu se Greqia apo ndonjë vend tjetër po bën gjithçka për të bllokuar investimet dhe turizmin, një idiotësi e pashoqe.

Greqia, e cila ka mbi 3 mijë kilometra brigje, dhe ka brigjet më të bukura dhe ujërat të përshtatshme, paska problem të madh se në Shqipëri u investokan 2 apo 3 miliardë euro.Është pikërisht psikologjia e trashëguar e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm”, shtoi ai.

Sipas tij, kryeministri tentoi që të fuste në kurth vajzën dhe dhëndrin e presidentit të SHBA, Donald Trump për shkak se zona e Zvërnecit ku është parashikuar investimi, ka shumë probleme me pronat.

“Dua të deklaroj se këto ditë nxorën në pah një kurth të madh që Edi Rama kishte organizuar për investitorët dhe konkretisht e them me bindje të plotë për vajzën dhe dhëndrin e presidentit të SHBA. Del se aty ka probleme madhore pronësie. Fermeri në Zvënec dje ia plasi në fytyrë. “, tha kryedemokrati.

EMISIONET