Vuçiç në takimin me Ambasadorët e Quint-it: Nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë

Vuçiç në takimin me Ambasadorët e Quint-it: Nuk do

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, priti sot në një takim Ambasadorët e vendeve të Quintit. Këta të fundi kërkuan “shtensionimin e krizës” në veri të Kosovës, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i Vuçiç.

“Ne jemi të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë apo të qytetarëve të saj”, citohet të ketë thënë Vuçiç gjatë takimit me ambasadorët e SHBA-së, Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e Delegacionit të BE-së në Beograd.

Prej 8 ditësh serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që ndodhen në këtë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë.

Me vendimin e Qeverisë, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme.

Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e Serbisë e akuzojnë Kosovën për shkeljen e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë.

Por përfaqësuesit e Kosovës thonë se po veprojnë në përputhje me Marrëveshjen. Masa të ngjashme ndaj makinave me targa të Kosovës, Serbia zbaton prej vitesh.

Për shkak të situatës në veri të Kosovës, ushtria serbe është vendosur në gjendje gatishmërie dhe avionët e saj luftarakë kanë fluturuar pranë bllokadave në veri, në disa raste gjatë ditëve të fundit.

EMISIONET