Shoqëria civile kërkon konstituimin e Kuvendit/ Presidenca: Partive t’u lihet kohë për marrëveshje

Tetë ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kërkojnë që të mos ketë vonesa të tjera në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Nga ana tjetër, Presidenca vlerëson se partive politike duhet t’u jepet hapësira e nevojshme për të zhvilluar negociata dhe për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte formimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
Sipas Kushtetutës, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, afat që në këtë rast përfundon më 7 gusht.
Nga kabineti i ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, bëhet e ditur se seanca do të thirret brenda afatit kushtetues, por theksohet se vonesa synon t’u japë partive kohë për të ndërtuar një marrëveshje që do të shmangte një tjetër bllokadë institucionale.
Ndërkohë, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se nuk ka më arsye për shtyrjen e seancës konstituive, duke theksuar se diskutimet politike nuk duhet të pengojnë funksionalizimin e Kuvendit.
Edhe hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, shprehet se një vonesë mund të arsyetohet vetëm nëse shoqërohet me negociata intensive mes partive politike. Sipas tij, në mungesë të konsultimeve konkrete, nuk ka bazë për zvarritjen e procesit.
Ndërkohë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së për formimin e institucioneve, por pa arritur ende një marrëveshje. Ai ka paralajmëruar se konsultimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.


