Vance: Kushtet e marrëveshjes me Iranin janë pranuar, por fondet nuk do të zhbllokohen

Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është nënshkruar në mënyrë elektronike gjatë fundjavës, ndërsa ceremonia zyrtare pritet të zhvillohet të premten në Zvicër.
Lajmi u bë i ditur nga zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili sqaroi se dokumenti është firmosur në mënyrë dixhitale dhe se deri tani nuk është liruar asnjë fond për Iranin.
Sipas tij, kushtet e marrëveshjes janë pranuar, por nuk parashikohet asnjë lehtësim i ri financiar për Teheranin.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se nënshkrimi zyrtar do të bëhet gjatë një ceremonie në Zvicër.
Ai bëri të ditur se disa prej pikave kryesore të marrëveshjes nuk do të hyjnë në fuqi para kësaj date.
Mes tyre është edhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin e naftës në botë. Sipas Trump, pas nënshkrimit zyrtar do të nisë procesi i pastrimit të zonës, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit normal të naftës në rajon.


