Bejruti në pritje të detajeve/ Libani: Nuk kemi informacion për marrëveshjen SHBA-Iran që parashikon fundin e luftimeve

Autoritetet libaneze bëjnë të ditur se nuk kanë marrë ende informacion zyrtar për marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila parashikon përfundimin e luftimeve në disa fronte të Lindjes së Mesme, përfshirë konfliktin mes Hezbollahut dhe Izraelit.
Një burim zyrtar në Liban tha se Bejruti nuk është informuar për kushtet e marrëveshjes dhe as për kohën kur mund të hyjë në fuqi një armëpushim në jug të vendit.
Megjithatë, situata në terren duket më e qetë. Mediat shtetërore libaneze raportojnë se gjatë orëve të fundit nuk janë regjistruar sulme izraelite, ndërsa Hezbollahu nuk ka marrë përgjegjësi për sulme ndaj Izraelit që nga nata e së dielës.
Kryetari i Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, ka mirëpritur marrëveshjen mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke vlerësuar përfshirjen e një klauzole që synon ndalimin e sulmeve izraelite në territorin libanez.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka bërë të ditur se marrëveshja parashikon ndërprerjen e operacioneve ushtarake në disa fronte, përfshirë Libanin.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në zonat që i konsideron të rëndësishme për sigurinë në Liban, Siri dhe Gaza. Ai paralajmëroi gjithashtu se Izraeli do të reagojë nëse përballet me sulme të reja nga Irani.
Pavarësisht shenjave të uljes së tensioneve, autoritetet në jug të Libanit u kanë kërkuar banorëve të zhvendosur të mos kthehen ende në shtëpitë e tyre, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim.


