Pronari i fasonerisë porosit 300 punëtorë në Bangladesh, Rama: Sa të mësojnë shqip ndërroji se u hyn krimbi, jo demokracia e liria

Pronari i fasonerisë porosit 300 punëtorë në Bangladesh,

Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, kryeministri Edi Rama ndaloi për një vizitë në fasonerinë e familjes Shtjefni.

Pronari i saj u ankua për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ai tha se do të marrë në Bangladesh 300 punëtorë kundrejt një page mujore 400 dollarë, teksa do u mbulojë dhe strehimin.

Kryeministri Rama nga ana e tij tha se qeveria ka lehtësuar procedurat për marrjen e punëtorëve të huaj, duke e cilësuar një iniciativë pozitive.

Rama shtoi se të huajt e bëjnë punën shumë herë më mirë dhe pa llafe.

Madje ai i sugjeroi pronarit se pasi të marrë punëtorët nga Bangladeshi ti mbajë për aq kohë sa nuk dinë shqip.

"Kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria" tha Rama.

Lexo edhe- Bushati: Rama barazoi shkodranët me punëtorët e Bangladeshit, nuk njeh turp as marre

Pronari: Unë po plasi tu kërku punëtorë në Tiranë dhe Berat, a doni punë dhe nuk vjen askush. Në televizione të gjithë thonë nuk ka punë, ne kemi aq shumë punë sa nuk kemi ku ta çojmë. Para disa ditësh ne kthyem një përfaqësues të Zaras vetëm për mungesë punëtorësh. Paga nuk është 30 mijë lekë por 40 mijë lekë, sa do ta bëni ju vitin tjetër.

Rama: Katër vjet duam ne ta bëjmë 40 mijë lekë.

Pronari: Nuk ka fuqi punëtore.

Rama: Unë e di që kjo është bisedë e rrezikshme për ne se na hidhen në fyt dhe pastaj kur u tregojmë këto thonë se kjo nuk është punë, është skllavëri, është poshtërsi. Më vjen shumë keq për ata që nuk kuptojnë por nuk kemi çfarë t'u bëjmë. Ne e kemi kaluar ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë, nuk ka fare më ato procedurat e tmerrshme. 7 ditë është procedura për të marrë punëtorë të huaj dhe po të them me këtë pagë që ke ti e ke të garantuar, kanë filluar të marrin edhe të tjerët,  punëtorët e huaj nga Bangladeshi, nga Pakistani, India.

Pronari: I kam porositur 300 në Bangladesh, 400 dollarë paga. E kanë të përfshirë edhe fjetjen.

Rama: I ke pronto, nuk dinë as shqip të merren me thashetheme.

Pronari: Do të bëj një kat apostafat për ta.

Rama: Kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria.

Pronari: E kishim mbyll për të ardhur më herët po na ra pandemia. Po tani do të vazhdojmë ti marrim. 400 dollarë duan ata.

Rama: Janë punë, punë dhe nuk ka llafe.

Pronari: Janë punëtorë që punojnë tamam në makinat që duam ne. Janë profesionistë.

EMISIONET