''Shteti po rrëshket drejt një autokracie'', Spahia: Rama ''dhunoi'' bashkinë e Vlorës, të njëjtin model po përcjell edhe në bashkitë e tjera
Bardh Spahia, Ish-kryebashkiak i Shkodrës i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News u shpreh se kryeministri Rama po shkel me këmbë autonominë e pushtetit vendor dhe se shteti po rëshket drejt një autokracie.
Spahia: Unë e kam thënë që në momentin e parë që pamë ato veprime të kryeministrit teksa shkelte me këmbë autonominë e pushtetit vendor.
Është shumë e rëndësishme ti japim vëmendjen e duhur sepse është domethënëse, tregon për një shtet i cili nuk respekton më pavarësinë e pushteteve.
Nuk ka më në balancë pushtetet.
Por po rrëshket drejt një autokracie.
Dhe e pamë fare mirë tek ajo sjellje krejt e papranueshme, antikushtetuese e kryeministrit shqiptar teksa shkon dhe ‘’dhunon’’ një bashki ndër më të rëndësishmet siç ishte e Vlorës dhe pastaj po të njëjtin model e përcjell edhe tek bashkitë e tjera, të Fierit e të Durrësit.
Pavarësia e pushtetit vendor është e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë si dhe nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore.
Unë e kam parë lëvizjen e fundit të kryeministrit Rama si një tentativë për të marrë vëmendje dhe për të hequr vëmendjen nga disa problematika jashtëzakonisht të mëdha me të cilat po përballet Shqipëria.

