Dhuka: Shqipëria përmbylli me sukses fazën e parë të negociatave me BE

Kryenegociatorja dhe ministre e Shtetit, Majlinda Dhuka deklaroi sot se, Reforma në drejtësi, ishte çelësi i hapjes së negociatave me BE.

Në fjalën e saj në panelin Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit: Legjislacioni, Zbatueshmëria, Afrimi me BE, Inteligjenca Artificiale në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Dhuka tha se, “në 8 dhjetor, 33 vite më parë Lëvizja Studentore kërkoi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe integrimin në Evropë me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

“Në korrik të vitit 2022 Shqipëria i çeli negociatat e anëtarësimit në BE. Çasti më historik në rrugëtimin tonë drejt përkatësisë, familjes evropiane. Shqipëria i çeli negociatat për anëtarësim në BE mbi bazë merite. I plotësoi të gjitha kushtet, përmes reformash të thella, qartësisë dhe progresit në rrugëtimin evropian dhe nisma shtetformuese”, u shpreh Dhuka.

Dhuka theksoi se, “reforma në drejtësi, e vetmja për nga thellësia dhe rezultati ndër vendet kandidate, ishte çelësi i hapjes së negociatave me BE. Nisja e negociatave të anëtarësimit është pjesa e fundit e rrugëtimit tonë për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota të atij bashkimi vlerash dhe aleancash të shteteve evropiane”.

“Në 24 nëntor të vitit 2023, pas 14 muajve punë intensive nga çelja e negociatave, Shqipëria përmbylli me sukses fazën e parë të negociatave me BE, procesin e vlerësimit të nivelit të përgatitjes për anëtarësim në BE. Në gjuhën e negociatave e quajtur si screening”, theksoi Dhuka.

Dhuka u shpreh se ekipi i ynë i negociatave me BE u vlerësua nga KE dhe vendet anëtare për punën e tij

“Përmes dialogut intensiv mbi 1 mijë zyrtarë të institucioneve tona dhe përmbi 1 mijë zyrtarë nga KE shqyrtuan përgatitjet e Shqipërisë përreth 777 çështje të sistemit të qeverisjes dhe ekonomisë së vendit. Ky dialog shënjoi investim të madh besimi tek profesionalizmi dhe progresi i Shqipërisë nga KE dhe vendet anëtare”, tha Dhuka.

“Me përmbylljen e kësaj faze të parë të negociatave për anëtarësim, ekipi i negociatave të Shqipërisë beson, bazuar në përgatitje se Shqipëria është sot gati teknikisht të çelë negociatat me BE-në për grupin e parë të kapitujve ose fushave të njohura si themeloret. Në 8 fushat e para nga 36 të tilla si në atë të drejtësisë, sigurisë, gjyqësorit, administratës publike, kriterit ekonomik etj”, theksoi Dhuka.

EMISIONET