VIDEO/ Unioni i Sindikatave protestë para Ministrisë së Financave: Paga më të mira dhe ndalim i emigracionit

VIDEO/ Unioni i Sindikatave protestë para Ministrisë së

Unioni i Sindikatave ka dalë këtë të martë në protestë para Ministrisë së Financave, në kuadër të protestave që prej 24 ditësh kanë bashkuar qytetarë shqiptarë në sheshe të ndryshme të vendit dhe jashtë.

Protestuesit kanë ngritur një sërë problematikash që, sipas tyre, i kanë shoqëruar gjatë gjithë kësaj periudhe, duke vendosur theksin kryesisht te nevoja për paga më të mira, kushte dinjitoze pune dhe ndalimin e fenomenit të emigracionit.

Gjatë tubimit, përfaqësues të sindikatave dhe protestues të shumtë kanë bërë thirrje për krijimin e mundësive që të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.

“T’u kthejmë shpresën të rinjve që të rikthehen në vendin e tyre, të punojnë me djersën e ballit, të kenë kushte dinjitoze dhe të arrijnë të ngrenë familjet e tyre këtu. Kjo protestë është për fëmijët tanë, që të kenë mundësi të gëzojnë vendin e tyre”, u shpreh një nga folësit.

Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e Edi Ramës dhe institucioneve vendore.

Në fjalën e mbajtur me rastin e Ditës së Shërbimeve Publike, përfaqësuesit e sindikatave u bënë thirrje punonjësve të sektorit publik të organizohen dhe të bashkohen për të mbrojtur të drejtat e tyre në vendin e punës.

“Punonjësit e shërbimeve publike duhet të marrin në dorë fatin e tyre. Duhet të bashkohen, të organizohen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre në punë. Nëse duan të jetojnë me dinjitet, rruga e vetme është solidarizimi dhe organizimi”, deklaroi një prej organizatorëve.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë protestës ishte kundërshtimi i privatizimit të shërbimeve publike. Sindikatat i cilësuan Partneritetet Publik-Privat si të dështuara dhe klienteliste, duke kërkuar që menaxhimi i disa shërbimeve të rikthehet nën administrimin publik.

Sipas tyre, bashkitë duhet të marrin nën kontroll menaxhimin e shërbimeve të pastrimit, ndërsa privatizimi i sektorëve publikë nuk përbën zgjidhje për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve.

Protestuesit u bënë thirrje qytetarëve të mbështesin punonjësit e shërbimeve publike dhe të kontribuojnë në përpjekjet për drejtësi sociale dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.

EMISIONET