Ligji i ri për arsimin e lartë, Kumbaro: Ndërkombëtarizimi ndër kapitujt kryesorë të pikëtakimit të Shqipërisë me Perëndimin

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë sot në prezantimin e projekteve finale të Konkursit Ndërkombëtar të Kampusit Universitar “Aleksandër Moisiu”, i cili synon të krijojë një hapësirë bashkëkohore ku ndërthuren arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, etj.
Gjatë fjalës së saj, Kumbaro tha se “projektet e kampuseve, i paraprijnë horizonteve kohore. Universiteti “Aleksandër Moisiu” festoi pak muaj më parë një etapë të rëndësishme të rrugëtimit të tij: 20 vite jetë akademike. Dy dekada në historinë e një universiteti mund të duken pak, por janë të mjaftueshme për të hedhur bazat e një tradite, për të ndërtuar identitet dhe për të fituar besimin e mijëra studentëve që kanë kaluar në auditoret e tij”.
“Sot ky universitet përfaqëson një komunitet të gjerë akademik me pesë fakultete, mijëra studentë e qindra pedagogë, por mbi të gjitha, ai përfaqëson një ambicie shumë të madhe: atë për të qenë një universitet modern, i hapur, ndërkombëtar dhe konkurrues në hapësirën europiane të arsimit të lartë. Tamam si Durrësi, porta tradicionale e pikëtakimit të Shqipërisë me Perëndimin, ashtu edhe Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’, në traditën e mirë të qytetit, gjeti rrugën e tij të ndërkombëtarizimit”, theksoi Kumbaro.
Sipas saj, edhe në rishikimin që po i bëjmë ligjit të arsimit të lartë, ndërkombëtarizimi zë një kapitull të veçantë, ndër më kryesorët, pasi është vizioni ynë për Shqipërinë përtej vitit 2030.
Pikërisht për këtë arsye, shtoi ministrjam kampusi i ri nuk mund të shihet vetëm si një investim në infrastrukturë.
“Kur flasim për kampusin e ri, në thelb po flasim për krijimin e një ekosistemi. Një ekosistem ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore nuk funksionojnë si ishuj të ndarë, por si pjesë të së njëjtës. Universitetet më të mira të botës nuk dallohen vetëm për programet e tyre akademike, por edhe për identitetin e mjediseve të tyre, në të cilat shpesh prodhohen ide, inovacion dhe lidership. Dhe universitetet kanë një veçori të rrallë: ato janë institucione që mendojnë në horizonte kohore më të gjata se shumica e institucioneve të tjera, u japin jetë e identitet peizazheve dhe zhvillim komuniteteve”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “kur projektojmë një kampus, nuk projektojmë vetëm nevojat e sotme. Ne projektojmë mënyrën se si do të mësohet, do të kërkohet, do të jetohet dhe do të bashkëpunohet pas njëzet apo tridhjetë vitesh”.
Më tej, gjatë fjalës së saj, ajo tha se “jam shumë e lumtur, që paralelisht me këtë ngjarje, UAMD ndodhet në një fazë të re zhvillimi me buxhetin më të lartë historik për arsimin në 2026, me investime konkrete si ai i Fakultetit të Studimeve Profesionale, me projektimin e kampusit të ri universitar përmes një konkursi ndërkombëtar dhe me një strategji të qartë profilizimi përmes ndërkombëtarizimit”.
Pesë ekipe finaliste do të prezantojnë sot projektet për masterplanin e këtij kampusi para një jurie ndërkombëtare. Konkursi shërben gjithashtu si një terren eksperimentimi për forma të reja të organizimit të konkurseve ndërkombëtare të projektimit.


