Policia kanadeze publikon rregulla të rrepta për tifozët kroatë!

Policia kanadeze publikon rregulla të rrepta për tifozët

Kombëtarja e Kroacisë do të përballet me Panamanë në raundin e dytë të Grupit L të Kupës së Botës, në një ndeshje që zhvillohet sonte pas mesnate në Toronto, me fillim nga ora 01:00 sipas kohës lokale.

Pas humbjes 4-2 ndaj Anglisë në ndeshjen e parë, kroatët synojnë rikthimin te fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën eliminatore. Edhe Panamaja vjen në këtë sfidë pas disfatës 1-0 ndaj Ganës.

Në prag të përballjes, policia kanadeze ka publikuar një sërë rekomandimesh dhe rregullash për tifozët kroatë që do të qëndrojnë në Toronto para dhe pas ndeshjes. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Kroate e Futbollit (HNS).

Sipas autoriteteve, konsumimi i alkoolit në vende publike është i ndaluar, përveç rasteve të caktuara, si në zonat e tifozëve, përreth stadiumit, brenda stadiumit apo në Trinity Bellwoods Park, ku është planifikuar grumbullimi i tifozëve kroatë.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se përdorimi i mjeteve piroteknike, përfshirë fishekzjarrët, raketat dhe petardat, është rreptësisht i ndaluar. Personat që shkelin këto rregulla rrezikojnë arrestim, gjoba dhe madje dëbim nga Kanadaja.

Sa i përket konsumimit të duhanit dhe cigareve elektronike, pirja e tyre nuk do të lejohet në tribunat e stadiumit, ndërsa stadiumi do të ketë zona të posaçme të dedikuara për duhanpirësit. Ndërkohë, konsumimi i marihuanës lejohet në hapësira publike, por jo brenda stadiumit.

Autoritetet kanadeze u kanë bërë thirrje tifozëve që të respektojnë rregullat lokale për të shmangur incidentet dhe për të garantuar një atmosferë festive dhe të sigurt gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.

EMISIONET