EMRAT+DOSJA/ Grupi i Call-Centerave tek "Delijorgji" me IP në Angli, KODET e fshehta: "Maks", "Majkëll", "Xhejson" e "Grifin" që përdoreshin për "mashtrimet" e kanadezëve dhe anglezëve

EMRAT+DOSJA/ Grupi i Call-Centerave tek "Delijorgji" me IP në

Janë zbuluar detaje të reja nga dosja penale Nr.4099 që flet për një grup Call-Centerash të pozicionuar tek kompleksi “Delijorgji” në Tiranë, të cilët kanë mashtruar dhjetëra qytetarë nga Kanadaja dhe Anglia, përmes një IP-je të identifikuar si funksionale në Londër.

Pavarësisht se salla e operatorëve Call-Centër ishte e stacionuar në Tiranë, hetimi ka provuar se IP e këtij biznesi të paligjshëm ishte pikërisht në Angli.

Qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e mashtrimit, duke humbur paratë e kursyera nga vetëm një telefonatë. Tashmë prokurori i Tiranës, Bledar Velikaj, për këtë rast ka zgjeruar hetimet tek personat posedues të kësaj pike Call-Centëri.

Ndërsa të arrestuar dhe mbyllur në burg janë personat Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Elio Dyrmishi dhe Marjo Myftari, të cilët akuzohen për “Mashtrim kompjuterik” kryer në bashkëpunim, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.

Mësohet se Ernest Kurti njihet si “Maksi” dhe është menaxher, Marjo Myftari është agjent, Amanti Jeshili është “IT” dhe Eljo Dyrmishi është suport.

Këta të ndaluar kishin rol organizativ dhe administrim të sallës së call-centërave, duke u fshehur përmes emrave të rremë si “Maks”, “Majkëll” ose “Xhejson”, “Olivia”, “Neit” “Elsa”, “Belvedero” e deri tek “Grifin”.

Gazetari Elton Qyno ka mundur të sigurojë dosjen hetimore në të cilën jepet një kronologji e plotë, mbi mënyrën on-line në faqen e Instagramit “DUA PUNË” që rekrutoheshin punonjësit, çarku i mashtrimit të qytetarëve nga Kanadaja, Anglia dhe vende të tjera europiane e deri tek pagesat për punonjësit.

Një nga operatorët Klajdi B., ka treguar në policinë e Tiranës se:

“…ka marrë dijeni për këtë vend pune në “Instagram”, nga ku ka lënë takim dhe aty është pritur nga një djalë me të cilin ka kryer intervistën, i cili është prezantuar me emrin “Maks”, por nuk ia di emrin e vërtetë. Deklaron se në fillim ka dëgjuar operatorët e tjerë dhe bëhej fjalë për investime në bursë, ku klientët ishin kryesisht shtetas Kanadezë. Sipas tij, operatorët u ofronin investime në kriptovalutë duke u premtuar fitime 2 ose 3 fish më të larta se shuma e investuar. Ai shton se në rastet kur klienti pranonte, fillimisht investonte rreth 250 dollarë dhe më pas kalonte tek një operator tjetër i quajtur “Retention”, por nuk ka dijeni për vijimin e mëtejshëm…”.

Ndërkohë operatori tjetër Serxhio M, ka dëshmuar në policinë e Tiranës se:

“…puna që bënte ishte “Recovery”, që konsiston në kontaktimin e personave që kanë humbur para në investime dhe u premtohej rikthimi i tyre, çka sipas tij ishte mashtrim sepse nuk u kthehej asgjë dhe në fillim u merreshin 200 euro, më pas kalonin tek persona të tjerë të panjohur. Intervistën dhe punësimin ia ka bërë Ernest Kurti, i cili ishte edhe menaxher i subjektit.Pagesa bëhej “cash” në fillim të javës së parë të muajit të ri dhe ishte në vlerën 1000 euro. Menaxheri i subjektit ka qenë Ernest Kurti, i cili përcaktonte rregullat dhe mënyrën e punës. Elio Dyrmishi merrej me suport teknik për rrjetin dhe pajisjet kompjuterike…”.

Sipas dosjes hetimore deklarimet e personave të konstatuar në ambientet objekt kontrolli, procesverbalet e këqyrjes dhe materialet e sekuestruara, krijohet dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Elio Dyrmishi dhe Marjo Myftari kanë organizuar dhe ushtruar një veprimtari të strukturuar nëpërmjet sistemeve kompjuterike dhe platformave online, me qëllim përfitimin e padrejtë pasuror në dëm të shtetasve të huaj.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e përshtatura si “Call Center” u konstatuan 94 njësi kompjuterike, laptopë, telefona celularë, databaza me të dhëna personale të shtetasve të huaj, si dhe programe dhe platforma të përdorura për komunikim me klientë potencialë.

Nga deklarimet e punonjësve rezulton se operatorët kontaktonin persona të huaj, kryesisht kanadezë, të cilëve u premtohej rikuperimi i humbjeve të mëparshme financiare ose fitime të konsiderueshme nga investime në bursa dhe kriptovaluta.

Nga deklarimet e shtetasve: Noel Sulollari, Heljos Reka, Serxhio Meta, Adrian Elezaj, Klejdi Balla, Brikena Myftari, David Kapxhiu, Jeton Mziu dhe shumë punonjësve të tjerë rezulton se operatorët kontaktonin shtetas të huaj, kryesisht nga Kanadaja, Anglia dhe vende të tjera, duke iu prezantuar mundësi investimi në bursa, kriptovaluta, forex apo duke iu premtuar rikuperimin e humbjeve të mëparshme financiare.

Këtyre qytetarëve të huaj u paraqiteshin platforma fiktive ku shfaqeshin në mënyrë të rreme shuma monetare apo fitime të pretenduara, me qëllim bindjen e tyre për të kryer pagesa ose investime të reja.

Sipas deklarimeve të punonjësve, pasi viktimat investonin shumat e kërkuara, fondet nuk u riktheheshin dhe komunikimi ndërpritej.

Këto rrethana fakti krijojnë dyshimin e arsyeshëm se aktiviteti i zhvilluar në këtë ambient kishte natyrë mashtruese dhe realizohej nëpërmjet përdorimit të sistemeve kompjuterike dhe platformave elektronike, duke krijuar dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik” të kryer në formën e bashkëpunimit. /Nga Elton Qyno – Syri.net

EMISIONET