KUR THËRRET SHQIPËRIA/ Për ditën e 20-të të protestës. Për 36 vite humbjesh, heshtjeje dhe një plage që ende nuk është mbyllur.

Kjo e tanishmja, kur pjesa më e madhe e jona është përfshirë — NUK ËSHTË VETËM PROTESTË, ndaj:
Mos i numëroni ditët.
Mos thoni dita e parë, dita e dhjetë apo dita e njëzetë.
Kjo protestë nuk ka nisur para njëzet ditësh.
Kjo protestë ka nisur ditën kur Shqipëria filloi të humbiste bijtë dhe bijat e saj.
Ka nisur ditën kur fshatrat nisën të zbrazen. Kur arat mbetën pa duar. Kur fabrikat heshtën. Kur lumenjtë filluan të shiheshin si mall për shitje. Kur malet u panë si sipërfaqe për t’u ndërtuar. Kur natyra pushoi së qeni trashëgimi dhe filloi të trajtohej si plaçkë.
Kjo protestë ka 36 vjet që grumbullohet — si Vjosa para përmbytjes — si Valbona para stuhisë — si Shushica para se të dalë nga shtrati.
Sot, çdo mbrëmje, në bulevard nuk ecim vetëm ne, qytetarët.
Ecën Shqipëria. Ecin pyjet e djegura. Ecin lumenjtë e plagosur. Ecin brigjet e betonizuara. Ecin fshatrat e braktisur. Ecin klasat e boshatisura të shkollave të rrënuara. Ecin të rinjtë që ikën. Ecin prindërit që mbetën pas. Ecin ëndrrat që u detyruan të marrin rrugën e emigrimit. Dhe bashkë me ta edhe një pyetje që politika ka frikë ta dëgjojë:
Çfarë po mbetet nga Shqipëria?
Në parlament gjithçka vazhdon!
Fjalimet vazhdojnë! Seancat vazhdojnë! Deklaratat vazhdojnë! Vazhdon një teatër normaliteti, sikur jashtë të mos ketë shpërthyer asgjë!
Sikur ky vend të mos jetë në alarm moral dhe shoqëror çdo mbrëmje!
Dhe pushteti vazhdon — jo sepse nuk e sheh realitetin, por sepse ka zgjedhur:
Të mos e shohë. Të mos dëgjojë! Të mos shqetësohet!
Kjo nuk është më thjesht mungesë ndjeshmërie.
Kjo është një vendimmarrje e ftohtë për ta përjashtuar realitetin nga fusha e përgjegjësisë, pasi:
është më e lehtë të flasësh në sallë, sesa të dëgjosh jashtë saj,
është më e rehatshme të prodhosh deklarata, sesa të përballesh me një vend që po zbrazet,
është më e pranueshme të simuloshnormalitet, sesa të pranosh se normaliteti është thyer.
E kështu për vite, pra edhe tani kemi një pushtet që vazhdon, por nuk përfaqëson më, nuk dëgjon më, nuk mban më asnjë peshë reale mbi jetën e vendit.
E kjo është gjithçka, por vetëm qeverisje nuk është.
Është thjesht — një ritëm institucional që ecën paralel me jetën, pa u takuar kurrë me të.
Ama, të gjithë jemi dëshmitarë se jashtë tyre nuk ka heshtje.
Ka zë. Ka zemërim. Ka lodhje. Ka largim. Ka një vend që po e thotë gjithnjë e më qartë se nuk mund të vazhdohet kështu.
Kjo është përplasja e vërtetë sot:
një vend që kërkon të dëgjohet dhe një pushtet që ka mësuar të vazhdojë sikur nuk ekziston askush për ta dëgjuar.
E në këtë përplasje nuk ka më keqkuptim. Ka zgjedhje.
Kjo zgjedhje tashmë është bërë e dukshme për të gjithë:
— Një vend që po kërkon të dëgjohet çdo mbrëmje në rrugë.
DHE
— Një pushtet që vazhdon sikur nuk ka asgjë për të dëgjuar.
Ne i dëgjuam dhe i besuam sepse: Na folën për zhvillim.
Ama, zhvillimi nuk matet me numrin e resorteve. Nuk matet me betonin. Nuk matet me kullat e ngritura mbi pyjet dhe brigjet e virgjër. Nuk matet me projektet luksoze që ngrihen brenda natës.
Një vend zhvillohet kur njerëzit e tij duan të jetojnë në të. Kur të rinjtë e tij ndërtojnë të ardhmen aty. Kur toka prodhon. Kur fshati jeton. Kur lumi rrjedh i lirë. Kur pylli mbetet pyll. Kur pasuria e përbashkët mbetet e përbashkët.
Shqipëria jonë nuk po vuan nga mungesa e bukurisë. As nga mungesa e pasurive. As nga mungesa e historisë.
Shqipëria jonë po vuan nga një plagë më e thellë: që për shumë vite me radhë e kanë dhe i është marrë më shumë sesa i është kthyer.
— I janë marrë njerëzit.
— I janë marrë pyjet.
— I janë marrë brigjet.
— I janë marrë lumenjtë.
— I janë marrë shpresat.
Dhe çdo vit i është kërkuar edhe pak më shumë. Edhe pak. Edhe pak. Derisa një ditë vetë vendi u ngrit në këmbë dhe tha:
Mjaft.
Prandaj kjo nuk është një protestë për një lumë. As për një pyll. As për një projekt.
Kjo është protesta e një vendi që po përpiqet të shpëtojë shpirtin e vet.
Historia nuk do të pyesë kush fitoi debatin. Nuk do të pyesë kush fitoi zgjedhjet.
Nuk do të pyesë kush mbajti pushtetin.
Historia do të pyesë vetëm:
Kur Shqipëria thërriste për ndihmë, kush e dëgjoi?
Dhe kush zgjodhi të bënte sikur nuk dëgjoi asgjë?
Dhe një ditë, pyetja nuk do të jetë më çfarë u tha.
Por: pse nuk u dëgjua kur u tha gjithçka?
