Sot, Dita e Ndërkombëtare e Shërbimit Publik

23 qershori është Dita Ndërkombëtare e Shërbimit Publik, që synon të ngrejë lart vlerat e virtytet e shërbimit publik për komunitetin, të nxjerrë në pah kontributin e shërbimit publik në procesin e zhvillimit, të njohë punën e nëpunësve publikë dhe të inkurajojë të rinjtë të ndjekin karriera në sektorin publik.
Ishte data 20 dhjetor 2002 kur Asambleja e Përgjithshme caktoi 23 qershorin si Ditën e Shërbimit Publik duke miratuar rezolutën 57/277.
Për të theksuar njohjen e kësaj dite dhe vlerën e shërbimit publik, Kombet e Bashkuara krijuan programin e Çmimeve të Shërbimit Publik të OKB-së (UNPSA) në vitin 2003.
Që nga ceremonia e parë e çmimeve, Kombet e Bashkuara kanë marrë një numër gjithnjë e në rritje të propozimeve nga e gjithë bota. Çmimet e Shërbimit Publik të Kombeve të Bashkuara janë njohja më prestigjioze ndërkombëtare e përsosmërisë në shërbimin publik. Ato shpërblejnë arritjet krijuese dhe kontributet e institucioneve të shërbimit publik që çojnë në një administratë publike më efektive dhe më të përgjegjshme në vendet në mbarë botën. Përmes një konkursi vjetor, Çmimet e Shërbimit Publik të OKB-së promovojnë rolin, profesionalizmin dhe dukshmërinë e shërbimit publik.
OKB thotë se, administrata publike, si gurthemeli i punës së qeverive, luan një rol thelbësor dhe kritik në përmirësimin e jetës së njerëzve. Pa modernizimin dhe transformimin e administratës publike për t’u përshtatur nevojave të sotme, realizimi i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë do të jetë i pamundur. Aty ku mungojnë administrata të afta, qeveritë janë të paafta; dhe aty ku qeveritë janë të paafta, zhvillimi i qëndrueshëm dështon.

