Dorëheqja e rektorit dhe “dorëdhënia” e pushtetit

Dorëheqja e rektorit dhe “dorëdhënia” e pushtetit

Emërimi i përkohshëm i zëvendësrektores në detyrën e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës nuk mund t’i shërbejë Ministrisë së Arsimit për të mbuluar thelbin e problemeve që ish-rektori Tonin Gjuraj i parashtroi zonjës ministre bashkë me aktin e dorëheqjes.

Zoti Gjuraj ka ngritur çështje serioze që lidhen me autonominë universitare, lirinë akademike, funksionimin e organeve drejtuese dhe mënyrën se si shteti reagon kur këto parime vihen në diskutim.

Në letrën e tij të dorëheqjes ai pretendon se vendimmarrja e Bordit të Administrimit ka cenuar autoritetin e organeve akademike; ngre shqetësime për emërimin e administratorit, procedurat e rekrutimit të personelit dhe administrimin e fondeve universitare, duke argumentuar se ekuilibri ndërmjet autoritetit akademik dhe administrimit institucional është cënuar.

Nuk kam ndërmend të gjykoj nëse ish-rektori ka apo jo të drejtë në gjithçka që parashtron. As nuk është ky thelbi i problemit që dua të ngre.
Thelbi qëndron diku tjetër: një dorëheqje e tillë duhej të kishte nxitur menjëherë interesimin dhe reagimin e institucioneve shtetërore përgjegjëse, për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një konflikt të zakonshëm mes rektorit dhe administratorit apo me një problem më të thellë të qeverisjes universitare.

Zonja ministre e Arsimit nuk duhej ta trajtonte këtë çështje si “pikëzën” e vockël të problemeve me të cilat merret. Përkundrazi, ajo është autoriteti i parë që duhet të kërkojë të dijë nëse pretendimet e ish-rektorit qëndrojnë apo jo. Jo për të marrë anë në konflikt, por për të kuptuar nëse në Universitetin e Shkodrës janë krijuar probleme që rrezikojnë funksionimin normal të mekanizmave të qeverisjes universitare.

Vetë fakti që rektori i referohet në letrën e tij një raporti verifikimi të Ministrisë së Arsimit, sipas të cilit janë konstatuar parregullsi në procedurat e rekrutimit administrativ, e bën edhe më të domosdoshëm reagimin e zonjës ministre.

Ndërkaq, nëse Kryeministri do ta ndiente peshën e përgjegjësisë që mbart funksioni i tij, dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Shkodrës do të duhej ta bënte objekt të një diskutimi të veçantë në qeveri.

Arsimi i lartë është pjesë e politikave publike dhe një konflikt i tillë në një universitet publik nuk mund të trajtohet si një çështje e zakonshme administrative. Autonomia universitare nuk është një problem teknik i Universitetit të Shkodrës; ajo është një nga shtyllat mbi të cilat mbështetet vetë sistemi i arsimit të lartë.

Nuk është rastësi që prej vitesh ligji për arsimin e lartë është vënë në diskutim dhe është folur për nevojën e një ligji të ri.
Rasti i Universitetit të Shkodrës iu jep të drejtë kritikëve të ligji dhe tregon se debati nuk është vetëm juridik, por lidhet me vetë balancën e pushtetit brenda universiteteve dhe me kufijtë ndërmjet autoritetit akademik dhe kontrollit administrativ.

Sa për Shkëlqesinë e Atij, zotin President të Republikës nuk kam shumë se çfarë të them.

Pavarësisht punëve të mëdha me të cilat merret dhe, edhe pse këto kohë është shumë i angazhuar pasi po studion protestën qytetare në përpjekje për të kuptuar se përse asnjë meme nuk është shkruar për të a thua se nuk ekziston, mund të gjente kohë dhe arsye për t’u interesuar.

Jo për të ndërhyrë në një konflikt administrativ, por për të kuptuar nëse dorëheqja e një rektori të dekretuar prej tij përfaqëson një akt individual apo simptomën e një problemi më të gjerë institucional.

Në raste të tilla, interesimi nuk është ndërhyrje; është ushtrim i përgjegjësisë publike. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një autoritet që e ushtron mandatin e tij në bazë të një dekreti të Presidentit të Republikës.

Mirëpo askush nuk reagoi.

Sot Universiteti i Shkodrës ka një rektore në detyrë, deri në organizimin e zgjedhjeve të reja. Ajo do të duhet të bëjë një zgjedhje: ose të ushtrojë plotësisht autoritetin e rektorit dhe të tregojë nëse paraardhësi i saj kishte apo jo të drejtë për problemet që ngriti, ose të pranojë autoritetin e një strukture tjetër, siç është Bordi i Administrimit.

Dhe këtu fillon “dorëdhënia” e pushtetit.

Ligji për arsimin e lartë, të cilin e kam kundërshtuar që në kohën kur u miratua, si deputet i Kuvendit, ka ndërtuar një sistem ku rektori, i zgjedhur nga komuniteti universitar, dhe Bordi i Administrimit duhet të bashkëjetojnë në një raport balancash dhe kontrolli të ndërsjellë. Por kur vetë autoriteti më i lartë akademik i universitetit deklaron se ky ekuilibër është prishur, heshtja e institucioneve nuk mund të paraqitet si paanësi.

Heshtja është zgjedhje.

Dorëheqja e profesor Gjurajt mund të jetë akti i një individi.
Por problemet që ai ngre prekin të gjithë sistemin e arsimit të lartë. Dhe kur askush nuk ndjen nevojën t’i dëgjojë apo t’i verifikojë ato, problemi nuk është më vetëm dorëheqja e një rektori.

Problemi është “dorëdhënia” e pushtetit te të përzgjedhurit e tij; një praktikë që me kalimin e kohës është shndërruar në normalitet.

Rastet e fundit të zbuluara nga SPAK-u, ku “dorëdhënia” shkon deri te trafikantë e kriminelë që pastrojnë paratë e drogës dhe i legalizojnë ato në kulla, biznese, leje dhe emërime të siguruara përmes klientelizmit politik, apo te të tjerë që komuniteti i njeh dhe i tregon me gisht si mishërim të shëmtisë dhe babëzisë së pushtetit, dëshmojnë se kjo nuk është rastësi.

Është një mënyrë qeverisjeje.

Dhe pikërisht për këtë arsye, dorëheqja e një rektori duhet parë si një sinjal alarmi për mënyrën se si ushtrohet pushteti në Shqipëri.

EMISIONET