Hapësirat publike në Vlorë, Gonxhja: Monitorim gjatë gjithë sezonit veror

Agjencia Kombëtare e Bregdetit vijon monitorimet për garantimin e hapësirave publike bregdetare për pushuesit vendas e të huaj.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “inspektimet intensive po kryhen përgjatë vijës bregdetare të bashkisë Vlorë, me fokus respektimin e plazheve publike dhe zbatimin e detyrimeve ligjore nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në stacionet e plazhit”.
“Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat e AKB-së janë të pranishme në terren për të monitoruar situatën, për të komunikuar me subjektet dhe për të garantuar respektimin e standardeve të përcaktuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik”, tha Gonxhja.
Sipas tij, monitorimet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror.
Hapësirat publike në bregdet mbeten një nga prioritetet e menaxhimit të sezonit turistik, duke synuar që qytetarët të kenë akses të lirë në vijën ranore dhe një përvojë sa më cilësore gjatë pushimeve verore.

