Shehu: Çmimet e banesave vijojnë rritjen, tregu mbështetet nga zhvillimi i vazhdueshëm i sektorit të turizmit

Shehu: Çmimet e banesave vijojnë rritjen, tregu mbështetet nga

Çmimet e banesave në vend kanë vijuar të rriten edhe gjatë vitit 2025, ndërsa numri i transaksioneve ka shënuar rënie në gjysmën e dytë të vitit, një zhvillim që sipas Bankës së Shqipërisë kërkon më shumë kohë dhe të dhëna për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një ngadalësim të tregut apo për një korrigjim pas ritmeve të larta të shitjeve në fillim të vitit.

Në një intervistë për mediet, Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, theksoi se institucioni monitoron në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, duke vlerësuar ndikimin e tyre në stabilitetin financiar të vendit.

Sipas tij, sektori bankar shqiptar paraqitet i qëndrueshëm, me tregues të mirë financiarë dhe me cilësi të kënaqshme të portofolit të kredisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi bankar ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar goditje të mundshme, ndërsa vijon të ndjekë me kujdes rritjen e çmimeve të pronave për të parandaluar krijimin e rreziqeve afatgjata.

Shehu nënvizoi se interesi për blerjen e pronave, veçanërisht në zonat bregdetare, mbetet i lartë. Kjo kërkesë mbështetet jo vetëm nga blerësit vendas, por edhe nga shtetasit jorezidentë, si dhe nga zhvillimi i vazhdueshëm i sektorit të turizmit, i cili po nxit investimet në pasuri të paluajtshme.

Duke folur për kreditimin e banesave, ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm përpara marrjes së një kredie, duke analizuar me vëmendje të ardhurat aktuale dhe perspektivën e tyre financiare në të ardhmen. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e njohjes së plotë të kushteve kontraktuale, detyrimeve dhe të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia me bankën.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë gjithashtu masa makroprudenciale për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme, me synim forcimin e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga mbingarkesa me borxhe.

EMISIONET