Filmi “Michael” bëhet biografia më fitimprurëse në historinë e kinemasë!

Filmi jetës së Michael Jackson, që mban emrin e tij, është tashmë filmi biografik me fitimet më të larta në historinë e kinemasë. Projekti ka kaluar filmin biografik të vitit 2018 për Freddie Mercury, “Bohemian Rhapsody”, duke iu afruar shifrës së 1 miliard dollarëve në të ardhura globale nga kinematë.
Kjo ndodh një muaj pasi filmi la pas në renditje edhe Elvis, ku rolin kryesor e luante Austin Butler, duke e zbritur atë në vendin e dytë. Filmi Michael, në të cilin nipi i Mbretit të Popit, Jaafar Jackson, 29 vjeç, interpreton rolin kryesor, ka arkëtuar 911.9 milionë dollarë në mbarë botën që nga dalja në kinema më 24 prill, sipas Deadline.
Filmi biografik i vitit 2018 për Freddie Mercury, Bohemian Rhapsody, mbante më parë vendin e parë me 216.7 milionë dollarë të fituara në tregun amerikan dhe 910.8 milionë dollarë në mbarë botën, sipas Billboard. Ky sukses vjen 17 vjet pas vdekjes së Michael Jackson, i cili u nda nga jeta në vitin 2009 në moshën 50-vjeçare.
Edhe pas vdekjes, Michael Jackson vazhdon të shkruajë histori në industrinë muzikore. “Mbreti i Popit” është bërë artisti i parë dhe i vetëm që ka arritur të renditet në listën prestigjioze Billboard Hot 100 në çdo dekadë që nga vitet 1970, duke vendosur një rekord të paprecedentë në muzikën moderne.
Jackson ka qenë pjesë e toplistës gjatë gjashtë dekadave të ndryshme: me 11 këngë në vitet ’70, 20 në vitet ’80, 12 në vitet ’90, katër në vitet 2000, katër në vitet 2010 dhe tashmë edhe në vitet 2020. Arritja e tij më e fundit vjen falë këngës “Chicago”, e cila debutoi këtë javë në vendin e 30-të të Billboard Hot 100.
Kënga ishte publikuar fillimisht në albumin pas vdekjes “Xscape”, i lançuar në vitin 2014, pesë vite pas ndarjes nga jeta të artistit. “Chicago” i bashkohet këngëve të tjera të suksesshme nga i njëjti album, si “Love Never Felt So Good” me Justin Timberlake dhe “Slave to the Rhythm”.

