MATEMATIKA “SFIDON” MATURANTËT! Përjashtohet nga provimi dy nxënës për përdorim celulari
Mbi 26 mijë maturantë zhvilluan provimin e matematikës, të parafundit për Maturën Shtetërore. Disa nxënës e cilësuan testin të vështirë, ndërsa procesi u zhvillua me kontrolle të rrepta, ku dy maturantë u përjashtuan pasi tentuan të përdornin celular gjatë provimit. Ndërkohë Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, i përgëzoi maturantët për seriozitetin dhe respektimin e rregullores se Maturës Shtetërore.

Mbi 26 mijë maturantë në vend iu nënshtruan provimit të matematikës, i parafundit për këtë sezon të maturës.
Testimi zgjati për dy orë, teksa disa maturantë e cilësuan provimin si të vështirë dhe voluminoz.
Por përtej vështirësisë të rinjtë që po mbyllin ciklin e mesëm të arsimit, mbeten optimistë dhe kanë pritshmëri për vlerësim maksimal.
Ata u shprehën se procesi u zhvillua me rreptësi dhe me kontrolle për të parandaluar kopjimin.
Megjithatë ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka reaguar në rrjetet sociale për dy raste që u ndëshkuan me përjashtim nga provimi i matematikës.
“Keqardhje për dy nxënës, të cilët gjatë këtij provimi thyen rregulloren duke tentuar të përdornin celular, por që u identifikuan dhe u përjashtuan menjëherë nga provimi.”
Më tej postimi i saj përmbyllet me një urim.
“Të dashur maturantë, përgëzime për seriozitetin, angazhimin dhe respektimin e rregullores se Maturës Shtetërore. Tani forca në provimet e radhës!”
Provimi i matematikës u zhvillua në 144 qëndra testimi në të gjithë vendin, dhe ku morën pjesë mbi 2 mijë mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, teksa Provimet e Maturës do të përmbyllen në javën e ardhshme me lëndët me përzgjedhje.


