SKEMA E PARAVE/ 50 ton kok*inë nga Amerika Latine, SPAK godet grupin e Eldi Dizdarit dhe Dritan Gjikës

Paratë e fituara nga trafiku i drogës, që sipas SPAK kryhej nga Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, investoheshin në Shqipëri kryesisht në ndërtimin e pallateve, por edhe në pasuri të tjera si vila, banesa dhe troje.

Me kërkesë të Prokurorisë dhe me miratim të Gjykatës së Posaçme janë vënë në sekuestro 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të 10 personave nën hetim.

Sipas SPAK, 10 kompani ose kuota shoqërish tregtare janë përdorur në skemën e pastrimit të parave. Një prej personave të përfshirë është Isa Aliu, për të cilin SPAK thotë se zotëron shoqëritë “Aliu Road House”, “Green Invest” sh.p.k., “Seaview Development” sh.p.k. dhe “A.R.H. Security” sh.p.k.

Sipas hetimeve, Isa Aliu ka qenë përfitues i parave që buronin nga trafiku i drogës dhe më pas i ka investuar ato në kompanitë e tij.

Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave është transferuar në Shqipëri në formë “cash”, për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë, dhe më pas është investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, si dhe në shoqëri të ndryshme, kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë dhe konsulencës.

Përmes këtyre investimeve dyshohet se është realizuar pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale, duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme dhe duke mundësuar integrimin e tyre në ekonominë dhe qarkullimin financiar të ligjshëm.

SPAK thotë se, pas injektimit të parave “cash” në llogaritë e kompanisë “Aliu Road House” sh.p.k., me qëllim justifikimin e investimeve të ardhshme, gjatë periudhës maj–qershor 2021 kompania ka nisur aktivitetin në sektorin e ndërtimit.

SKEMA E PARAVE/ 50 ton kok*inë nga Amerika Latine, SPAK godet grupin e Eldi

Dyshohet se, për të mos tërhequr menjëherë vëmendjen e strukturave ligjzbatuese, Isa Aliu orientoi që kompania të paraqitej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash. Sipas SPAK, kjo mënyrë funksionimi do të justifikonte flukset e ardhshme të parave “cash” dhe zgjerimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit.

Mes pasurive të sekuestruara janë edhe kompanitë “F-XH Invest” sh.p.k., “Altea Invest”, “S.T.N.P.M.” sh.a., si dhe kuotat e shoqërisë në pronësi të Shpëtim Bibajt, person ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Nga hetimet dhe provat e siguruara përmes platformës Sky ECC, SPAK ka identifikuar gjithashtu 266 pasuri të paluajtshme, përfshirë toka arë, troje, hotele, poste parkimi dhe apartamente në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë dhe Sarandë.

Bëhet fjalë për 121 pasuri të paluajtshme, si vila, apartamente, duplekse dhe vende parkimi në një kompleks multifunksional turistik dhe rezidencial në Hamallaj, Gjirin e Lalzit. Po ashtu, janë sekuestruar hotele në Himarë dhe Tiranë, si dhe disa vila në komplekse rezidenciale.

Në listën e SPAK përfshihen gjithashtu apartamente, njësi tregtare, automjete dhe 209 llogari bankare. Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të arrijë në rreth 150 milionë euro.

Sipas hetimeve paraprake, skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare me çmime shumë më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave ndërmjet personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmëve të origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.

EMISIONET