Kush mund të ketë frikë nga flamingot?!

Një deputete socialiste u shfaq në një koment në median sociale në të cilin, përmes një përzjerjeje të frikës me kureshtjen, ngrinte pyetjen se çfarë është kjo “Shqipëria e Re” për të cilën qytetarët po brohorasin në bulevard, si e qysh do të bëhet ajo realitet. Mund të vihet re se, ndonëse ende në nivelin e nënvetëdijes, ngritja e pyetjes dhe shprehja e frikës sugjeron se edhe socialistët, ose së paku kjo deputete, nuk janë më të sigurt për pushtetin që kanë dhe po shqetësohen se çfarë bart e ardhmja.
Përkundër pyetjes krejtësisht legjitime të kësaj deputeteje, kryeministri Edi Rama ngre hipoteza pas hipotezash të dëshpëruara, për të sugjeruar, pasi i shterruan alibitë me agjentura të brendshme e të huaja, se protesta qytetare është shfaqje, as më pak e as më shumë, e fashizmit dhe nazizmit.
Në realitet, ajo që po artikulohet nga qytetarët në shesh apo në mikrofon, duket se është asgjë tjetër përveç demokracisë liberale, shtetit të së drejtës, republikës parlamentare, këshilleve qytetare përfaqësuese, pushtet ekzekutiv të kufizuar e të tjera.
Nëse do të lexosh dokumentet e Bashkimit Evropian, fjala vjen, raportet e progresit, në të cilat gjenden kushtet të cilat Shqipëria duhet të plotësojë para anëtarësimit dhe dëgjon kërkesat e protestuesve, vështirë të mos e vësh re se të dyja janë tërësisht të përputhshme.
Protesta e parë masive dhe paqësore e qytetarëve shqiptarë, pra ky revolucion Arendian të cilit të gjithë po i referohen si Revolucioni i Flamingove, është ashtu siç duket, një revolucion demokratik.
Kur dëgjon një trupë qytetarësh prej dhjetëramijëra vetësh me qindra folës njëri pas tjetrit, natyrisht që nuk është e mundur të bësh një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kërkesave të artikuluara prej të gjithëve. Por ajo që autorit të këtyre radhëve i ka bërë përshtypje, mund të klasifikohen si më poshtë:
1. Kufizim mandatesh për kryeministrin. Një nga kërkesat e shumë folësve në protestat e këtyre ditëve ka qenë moslejimi i një individi të zgjidhet më shumë se dy herë kryeministër. Kjo vështirë se mund të quhet një kërkesë fashiste. Madje, mund të quhet një kërkesë antifashiste. Reflekton bezdisjen e qytetarëve nga pushteti pa kufi i Ramës dhe dëshirën e tyre për pushtet ekzekutiv të kufizuar.
2. President i zgjedhur nga populli. Kjo është gjithashtu një kërkesë që, si e para, bie në kategorinë e parimit kushtetues të ndarjes, kufizimit dhe balancimit të pushteteve. Është artikuluar gjatë këtyre dy ditëve që posti i presidentit (normalisht bashkë me një zëvendëspresident) të dalë nga një votim universal i të gjithë qytetarëve dhe ky president, (mund ta shtoj unë këtë nga mendja ime) duhet të zgjidhet në mes të mandatit të qeverisë, pra për katër ose për gjashtë vjet, me kushtin që qytetarët të thirren për të zgjedhur presidentin dy vjet pas fillimit të mandatit të ekzekutivit dhe, nëse nuk u pëlqen ekzekutivi, të kenë mundësinë ta ndëshkojnë me votë. Për të kursyer kosto, mundet që zgjedhja e presidentit të bëhet në të njëjtën datë me zgjedhjet për pushtetin vendor.
3. Deputetë të zgjedhur nga populli, pra kundër listave të mbyllura partiake. Kjo kërkesë është e njëjtë me atë që caktohet në kërkesat themelore të një demokracie parlamentare. Kërkohen deputetë që të përfaqësojnë popullin në parlament dhe jo delegatë partiakë që të përfaqësojnë partinë te populli. Tashmë kanë kaluar pothuajse njëzet vjet dhe pesë palë zgjedhjesh parlamentare që kur këta të dy, Rama dhe Berisha, ranë dakord me njëri-tjetrin për sistem elektoral me lista të mbyllura dhe diskriminues. Sistemi, i etiketuar në atë kohë si partitizëm, nuk do të ishte automatikisht gabim apo keq, në rast se partitë politike do të kishin atë që njihet si demokraci e brendshme. Por në mungesë të kësaj, partitizmi krijoi dy udhëheqës të cilët i kanë partitë përkatëse si pronë, deputetët dhe këdo tjetër e kanë në nivelin e shërbëtorit kokëulur, mirëqenia materiale dhe politike e të cilit varet, jo nga aftësia për të bindur qytetarët se mund t’i përfaqësojnë, por nga lloji i shërbimit që mund t’i japin kryetarit në politikën klienteliste. Nuk ka asnjë demokraci funksionale në të cilën parlamenti është zyrë noteriale e dëshirave të kryetarëve. Në demokracitë funksionale, parlamenti duhet të kontrollojë ekzekutivin dhe jo anasjelltas. Në këtë kontekst, kërkesa e protestuesve nuk është fashizëm, është pikërisht e kundërta, është demokraci liberale.
4. Demokraci direkte. Një nga kërkesat e përsëritura, nga disa parti të reja por edhe nga protestuesit, është e drejta e mishëruar në kushtetutë dhe e mohuar nga ligjvënësi për demokraci direkte përmes referendumeve. Vendi nuk ka pasur referendume deri më sot, me përjashtim të atij që miratoi kushtetutën aktuale në vitin e largët 1998. Arsyeja për këtë është mungesa e vullnetit nga politika aktuale për të krijuar kushtet që qytetarët të kenë të drejtë të kërkojnë dhe të organizojnë referendum për çështjet që i shqetësojnë. Referendumi mundet të shikohet edhe si populizëm. Por fakti është që sistemi aktual kushtetues i jep referendumit peshë ligjore të dobët dhe peshë politike të lartë. Me pak fjalë, ka një valvul kushtetuese për të shkarkuar rrezikun e përdorimit të demokracisë direkte nga populistët. Kjo valvul thotë se legjislacioni i prodhuar nga referendumi është i barabartë me ligjin që miratohet me shumicën më të thjeshtë në parlament.
5. Poshtë patronazhistët. Një thirrje që dëgjohet shpesh në protestë duhet të shihet si asgjë më shumë se sa kërkesa e përsëritur e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve për parandalimin, ndalimin dhe ndëshkimin e abuzimit me pushtetin të partisë në pushtet për të fituar avantazh në zgjedhje. Gara në zgjedhje duhet të jetë mes politikanëve dhe partive, të cilat propozojnë idetë më bindëse se çfarë politike duhet të bëjmë për të përbashkëtën. Ajo nuk mund të jetë ushtrim pushteti, nuk mund të jetë garë mes personave që kanë akumuluar më shumë para dhe burime nga abuzimet me pushtetin.
6. Bojkotoni mediat. Media shqiptare duhet të reformohet dhe këtë, para se ta vërejnë protestuesit, e kanë vënë re ekspertët dhe gazetarët dhe, edhe zyrtarët e Brukselit. Kapitulli përkatës në raportet e progresit përsërit çdo vit nevojën për media të larmishme dhe profesionale, me strukturë pronësie korporative, e cila ndan përmbajtjen editoriale nga menaxhimi ekonomik, dhe jo në formën aktuale, pronësi individuale apo familjare, ku interesi publik trafikohet në shkëmbim të lejeve e licencave.
7. Këshille dhe jo administratorë. Një nga grupet që po mbështet protestën dhe që përbën një faktor të rëndësishëm në organizimin e saj është Kuvendi Komunitar i krahinës Dukat, Tragjas, Radhimë, Orikum. Kjo është një iniciativë komunitare që shpreh atë që është natyrore dhe historike dhe që, në Shqipëri, ka munguar përgjatë dekadave pasi u vra nga regjimi komunist për t’u zëvendësuar me strukturën aktuale. Kuvendet komunitare janë institucione të demokracisë nga poshtë, lart. Këta janë përfaqësuesit e qytetarëve në një fshat apo në një lagje, të cilët marrin përsipër të përfaqësojnë interesat e qytetarëve para qeverisë. Historikisht çdo fshat e çdo lagje ka pasur një këshill por në kohën e komunizmit, me qëllimin e shkatërrimit të forcës organizative të qytetarëve dhe zëvendësimit të demokracisë nga poshtë- lart, me sistemin e ushtrimit të pushtetit nga lart – poshtë. Kjo normalisht që duhet të përkthehet në terma praktikë në rithemelimin e këshilleve të fshatrave si ajo që Thomas Jefferson i cilëson “Republikat elementare” dhe që në SHBA njihen si Townhall, apo vendtakimet qytetare, jo për të ushtruar pushtet, (këshille të tilla nuk kanë struktura administrative dhe nuk përbëjnë pushtet ekzekutiv) por për të përfaqësuar qytetarët, për të debatuar, për t’u organizuar politikisht. Vështirë se në Shqipëri do të ketë demokraci funksionale për sa kohë këshille të tilla si ky nuk do të shtrihen në të gjithë vendin.
Nuk bëjmë mirë të harrojmë se në protestë ka edhe thirrje të papëlqyeshme. Vdekje tradhëtarëve është një slogan i shëmtuar që nuk u është shkulur protestuesve nga goja përgjatë të gjithë këtyre ditëve dhe që bie ndesh me atë që është thelbi i këtij revolucioni, revolucion pa dhunë sipas modelit të revolucioneve Arendiane. Në kohën tonë, ashtu si edhe në kohët e lashta, tradhtarët nuk ekzekutohen dhe nuk kanë nevojë të ekzekutohen. Ata thjesht sa rrëzohen nga pushteti.
Sa i përket thirrjeve “Rama n’burg, Berisha n’burg”, normalisht kjo duhet të shihet si alegori dhe jo si platformë politike. Kjo është thirrje për të deklaruar papëlqyeshmërinë e qytetarëve ndaj këtyre të dyve dhe nuk përbën as aktakuzë dhe as vendim gjykate. Është sistemi i drejtësisë ai që cakton nëse ndonjëri apo të dy këta do të përballen me akuza apo do të vuajnë apo jo burg.
Askush nuk ka pse të ketë frikë nga Revolucioni i Flamingove, sepse ky është një revolucion pa dhunë, me kulturën e shmangies së përplasjes me policinë të përhapur gjerësisht dhe në mënyrë të fortë. Kjo është një risi e madhe për një vend ku, në fjalorin ekzistues, vijon ta klasifikojë revolucionin si “përmbysje me dhunë” dhe nuk e njeh historinë e dekadave të fundit të përmbysjeve demokratike pa dhunë./ Nga Gjergj Erebara, BIRN



