Projektligji për kontrollet zyrtare, fokus siguria ushqimore dhe integrimi evropian

Projektligji për kontrollet zyrtare, fokus siguria ushqimore dhe integrimi

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi dhe miratoi sot projektligjin “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitetet e tjera zyrtare të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit mbi ushqimin dhe ushqimin për kafshët, rregullimeve mbi shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe mbi shëndetin e bimëve dhe produktet për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë mbledhjes, relatori i çështjes njëherazi nismëtar i këtij pr.ligj Saimir Hasalla, theksoi se projektligji synon forcimin e sistemit të kontrollit përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor dhe agroushqimor, duke garantuar mbrojtje më të lartë për konsumatorin dhe rritje të standardeve të sigurisë ushqimore në vend.

Sipas tij, nisma përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, në një fushë me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik dhe funksionimin e tregut.

Duke paraqitur projektligjin, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, e cilësoi atë si një nismë me rëndësi të veçantë në kuadrin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

“Projektligji synon forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit publik, garantimin e standardeve për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, mbrojtjen e bimëve, si dhe avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ky projektligji është hartuar pas një procesi konsultimi me grupet e interesit dhe institucionet përgjegjëse, duke siguruar një nivel të lartë përputhshmërie me legjislacionin evropian”, tha Jaupllari.

“Sot kontrollet zyrtare realizohen nga institucione të ndryshme, ndaj është e nevojshme që të përcaktohen qartë kompetencat dhe të shmangen mbivendosjet në ushtrimin e kontrollit. Kjo do të ndihmojë në eliminimin e boshllëqeve institucionale dhe rritjen e sigurisë juridike”, deklaroi ai.

Sipas zëvendësministrit, një nga risitë kryesore të projektligjit është orientimi i kontrolleve mbi bazën e riskut që paraqet çdo operator apo biznes, sipas praktikave dhe modeleve të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Ky model mundëson përdorimin më efikas të burimeve njerëzore dhe financiare, ul kostot administrative, shkurton kohën e kontrolleve dhe rrit efektivitetin e tyre”, theksoi Jaupllari.

Ai shtoi se projektligji përcakton gjithashtu procedura më të qarta për marrjen dhe analizimin e mostrave laboratorike, duke vendosur standarde të harmonizuara që garantojnë besueshmërinë dhe transparencën e procesit të kontrollit. Një tjetër element i rëndësishëm i nismës lidhet me forcimin e kontrolleve në kufi për produktet dhe kafshët që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas Jaupllarit, qëllimi është që të garantohet se të gjitha produktet dhe kafshët e importuara përmbushin standardet e sigurisë, cilësisë dhe mbrojtjes së shëndetit publik të parashikuara nga legjislacioni evropian.

“Forcimi i kontrolleve zyrtare per sigurinë ushqimore është një parakusht edhe për rritjen e eksporteve shqiptare në tregjet e BE-së”, tha Jaupllari, teksa nënvizoi se ky projektligj do të sjellë rregulla më të qarta për fermerët dhe agropërpunuesit prodhues.

EMISIONET