Trump: Marrëveshja me Iranin garanton zero armë bërthamore

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se, në kuadër të marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore, raportoi BBC.
“Ata nuk do ta ndërtojnë atë. Nuk do ta blejnë. Nuk do të bëjnë asgjë me të,” u shpreh Trump gjatë samitit të liderëve të G7-tës në Evian të Francës.
Ai shtoi se marrëveshja për Iranin po kalon në një “fazë të dytë”, por pa dhënë detaje të mëtejshme, duke e cilësuar atë si një marrëveshje të drejtë dhe të mirë.
Pakti dhe negociatat
Ndërmjetësi kryesor, Pakistani, njoftoi të dielën se është arritur një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit, e cila pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër.
Sipas informacionit të deritanishëm, marrëveshja parashikon zgjatjen e armëpushimit edhe për 60 ditë, periudhë gjatë së cilës palët do të negociojnë detajet e një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, përmbajtja e plotë e dokumentit nuk është bërë ende publike.
Izraeli dhe Libani
Duke folur për Lindjen e Mesme, Trump tha se Izraeli duhet të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj Libanit, duke theksuar se luftimet me Hezbollahut kanë zgjatur shumë dhe kanë shkaktuar një numër të madh viktimash.
I pyetur nëse është i zhgënjyer me kryeministrin Benjamin Netanyahu, presidenti Trump tha se kanë një marrëdhënie të “shkëlqyer”, por shtoi se ai “duhet të jetë më i përgjegjshëm ndaj Libanit”.
“Nuk më pëlqeu që ai kreu sulmin… ishte e tepruar”, u shpreh Trump.
Ai shtoi gjithashtu se, pa SHBA-në nuk do të kishte Izrael… “sepse asnjë president tjetër nuk ishte i gatshëm të bënte atë që bëra unë”.
SHBA-ja dhe financimi i Iranit
Trump hodhi poshtë raportimet se SHBA-ja do të investonte fonde në Iran në kuadër të marrëveshjes.
“Ne nuk po investojmë asnjë para në Iran”, tha ai, duke i quajtur “qesharake” thashethemet që qarkulluan një ditë më parë.
“Ne nuk kemi asnjë detyrim të investojmë asnjë para në Iran”, shtoi Trump.
Bisedimet teknike dhe kushtet e marrëveshjes
Sipas zyrtarëve amerikanë, bisedimet teknike për programin bërthamor të Iranit pritet të fillojnë këtë javë.
Çdo lehtësim i sanksioneve apo lirim i aseteve, do të varet nga përmbushja e detyrimeve nga Teherani.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit, mbetet pasurimi i uraniumit dhe kërkesa e Perëndimit që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.


