Kriza e lindshmërisë në Evropë: Çfarë zbuloi eksperimenti 15-vjeçar i Hungarisë?

Hungaria u kthye në një nga laboratorët më të mëdhenj në botë, për politikat e nxitjes së lindshmërisë, duke ofruar kredi pa interes, lehtësime tatimore dhe subvencione për çiftet që premtonin të kishin fëmijë, sipas BBC.
Megjithatë, pas një rritjeje fillestare, lindshmëria ka rënë sërish, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e këtyre masave.
Nën qeverinë e ish-kryeministrit Viktor Orbán, e cila nisi programin në vitin 2010, çiftet e reja përfitonin kredi pa interes, subvencione për banesa, automjete më të mëdha dhe përfitime të tjera financiare, në këmbim të angazhimit për të pasur fëmijë.
Shkalla e lindshmërisë në Hungari u rrit nga 1,25 fëmijë për grua në vitin 2010 në 1,59 në vitin 2020, por më pas nisi të bjerë, dhe në vitin 2025 u ul në 1,31, vetëm pak më lart se niveli fillestar.
Ekspertët vlerësojnë se politikat financiare, mund të kenë ndikuar në përshpejtimin e lindjeve, që çiftet do t’i kishin realizuar gjithsesi, por nuk kanë arritur të ndryshojnë trendin afatgjatë të rënies demografike.
Sipas demografit, Tomas Sobotka, pasiguria ekonomike, luftërat, inflacioni dhe mungesa e besimit në të ardhmen, kanë ndikim më të madh në vendimet, për të krijuar familje sesa stimujt financiarë.
Një tjetër kritikë ndaj modelit hungarez, është se ai favorizoi kryesisht çiftet e martuara dhe familjet me të ardhura të qëndrueshme, ndërsa në qytetet e mëdha, ku kostot e jetesës janë më të larta, ndihma financiare rezultoi më pak efektive.
Shumë studiues, argumentojnë se përmirësimi i shërbimeve publike, veçanërisht i kujdesit shëndetësor, arsimit dhe çerdheve, ka më shumë ndikim në rritjen e lindshmërisë sesa subvencionet direkte.
Ata theksojnë gjithashtu rëndësinë e politikave, që lehtësojnë balancën mes punës dhe jetës familjare.
Rasti i Hungarisë, shihet sot si një mësim për vendet që përballen me rënie të popullsisë: ndihma financiare mund të japë rezultate afatshkurtra, por nuk mjafton për të përmbysur tendencat demografike, pa reforma më të gjera sociale dhe ekonomike.
Sipas të dhënave të bankës qendrore hungareze, një në pesë çifte, që përfituan kreditë e lidhura me lindjen e fëmijëve, nuk arritën të kenë fëmijë brenda afateve të përcaktuara, duke u përballur me detyrimin, për të kthyer fondet ose për të paguar penalitete shtesë.
Kjo ka nxitur qeverinë e re të rishikojë skemën e mbështetjes familjare.


