NEYMAR JASHTË FAZËS SË GRUPEVE! Rikthimi i yllit brazilian në pikëpyetje, mungon me Haitin
Neymar Junior mund të mungojë gjatë gjithë fazës së grupeve në Botërorin 2026, pas një dëmtimi në pulpën e këmbës së djathtë. Sulmuesi brazilian vijon rehabilitimin dhe stafi mjekësor nuk dëshiron ta rikthejë në fushë pa qenë plotësisht gati. Brazili e nisi turneun me barazim 1-1 ndaj Marokut, ndërsa shpresat janë që Neymar të rikthehet për fazën me eliminim direkt.

Pritja për rikthimin e Neymarit te Brazili mund të zgjasë më shumë nga sa ishte parashikuar fillimisht. Sulmuesi 34-vjeçar iu nënshtrua testeve të reja mjekësore për dëmtimin në pulpën e këmbës së djathtë, ndërsa mediat braziliane raportojnë se ai mund të mungojë gjatë gjithë fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026.
Fillimisht kishte optimizëm se Neymar do t’i bashkohej së shpejti skuadrës në stërvitje, por rezultatet e fundit kanë shtyrë stafin mjekësor të tregojë kujdes maksimal. Federata Braziliane e Futbollit ende nuk ka bërë publike përfundimet e ekzaminimeve, ndërsa mjekët nuk duan të rrezikojnë një rikthim të parakohshëm.
Dëmtimi i shkallës së dytë në pulpë u pësua më 17 maj gjatë një ndeshjeje me Santosin. Që prej asaj kohe, Neymar nuk ka zhvilluar asnjë seancë të plotë stërvitore me ekipin dhe po vijon vetëm punën në palestër dhe programin e rehabilitimit.
Sipas raportimeve, objektivi kryesor i Brazilit është që Neymar të jetë plotësisht gati për fazën me eliminim direkt. Ai do të rikthehet në fushën stërvitore vetëm pasi të marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor dhe të mos ndiejë më asnjë shqetësim fizik.
Pavarësisht mungesës së tij, trajneri Carlo Ancelotti vazhdon ta konsiderojë Neymarin një figurë kyçe në skuadër, jo vetëm për cilësitë teknike, por edhe për eksperiencën dhe ndikimin tek lojtarët e rinj.
Ndërkohë, Brazili e nisi rrugëtimin në Botëror me një barazim 1-1 ndaj Marokut. Pa liderin e tij në fushë, përfaqësuesja braziliane hasi vështirësi për të gjetur golin e fitores dhe u detyrua të kënaqej me vetëm një pikë në ndeshjen e parë të grupit.
Tani vëmendja mbetet te gjendja e Neymarit, ndërsa tifozët brazilianë shpresojnë ta shohin yllin e tyre të rikthehet në momentet vendimtare të turneut.


