Trump surprizon me qëndrimin për Lindjen e Mesme: Siria mund ta godasë Hezbollahun më mirë se Izraeli

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke bërë dallimin mes konfliktit Izrael-Hezbollah dhe tensioneve me Iranin.
Sipas tij, përplasja me Hezbollahun është një konflikt më i kufizuar, ndërsa një përballje me Iranin do të kishte përmasa shumë më të mëdha.
Gjatë një prononcimi për mediat, Trump u ndal edhe te roli që mund të ketë Siria në rajon. Ai tha se presidenti sirian Ahmed al-Sharaa mund të jetë më efektiv në përballjen me Hezbollahun, pasi marrëdhëniet mes tyre janë të tensionuara.
Trump komentoi gjithashtu operacionet ushtarake të Izraelit kundër Hezbollahut në Liban. Sipas tij, sulmet ndaj ndërtesave të tëra për të goditur persona të veçantë sjellin pasoja të rënda për civilët që ndodhen në ato zona.
Ai tregoi se i ka sugjeruar Izraelit që t’i japë Sirisë më shumë hapësirë për t’u marrë me Hezbollahun, duke shprehur bindjen se Damasku mund ta trajtojë këtë çështje në mënyrë më të efektshme.
Komentet e Trump vijnë në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta dhe situata mes Izraelit, Hezbollahut dhe Iranit vazhdon të ndiqet me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar.


