Fondi sovran më i suksesshëm në botë vë bast për aksionet europiane, jo ato amerikane

Shefat e investimeve në fondin sovran të pasurisë me performancën më të mirë në botë po vënë bast se aksionet evropiane do t’i tejkalojnë rivalët e tyre transatlantikë gjatë dekadës së ardhshme. Ky pozicion tregon se disa prej pronarëve më të mëdhenj të aseteve globale po humbasin besimin në perspektivën afatgjatë të tregut amerikan të aksioneve.
Brad Dunstan dhe Will Goodwin, bashkëdrejtorë të investimeve në NZ Super Fund (Në Zelandën e Re), i cili ka një vlerë prej 76 miliardë dollarë të Zelandës së Re (apo rreth 44 miliardë dollarë amerikanë), deklaruan për Financial Times se tregu europian i aksioneve përbën pozicionin “me më shumë peshë” të fondit në krahasim me portofolin e tij referues, pasi fondi ndërmerr pozicione taktike në tregjet që parashikon se do të performojnë më mirë.
“Së fundmi, kemi ulur aksionet amerikane dhe kemi shtuar ato europiane… dhe kjo bazohet thjesht në vlerësimet e aksioneve,” tha Dunstan, duke shtuar se këto vendime merren me një perspektivë 10-vjeçare.
Në fund të muajit qershor, fondi kishte një vlerësim prej 2% më të lartë në aksionet europiane dhe një vlerësim më të ulët prej 3.5% në ato amerikane, në kuadër të mandatit të tij të “zhvendosjes strategjike”, përmes së cilës fondi shpreh qëndrimet mbi çmimet e aksioneve. Për arsye tregtare, menaxherët nuk zbulojnë kohën e saktë të marrjes së pozicioneve.
Kjo strategji bazohet në vlerësimin se aksionet europiane, të matur sipas indeksit “Stoxx Europe 600” aktualisht tregtohen nën vlerën e tyre “të drejtë”, ndërsa ato amerikane janë të mbivlerësuara dhe, në një moment gjatë dekadës së ardhshme, pritet të humbasin këtë përparësi.
“Ka më shumë rrezik inflacioni në SHBA,” tha Dunstan, duke shtuar se ndikimi i tarifave të vendosura nga presidenti Donald Trump ishte kryesisht “zhurmë” për pronarët afatgjatë të aktiveve. Megjithatë, sipas tij, perspektiva e normave të interesit në SHBA bën që aksionet amerikane, të cilat aktualisht tregtohen me një raport çmim-fitim prej 27.5 herë, ishin mbivlerësuar.
Këto komente vijnë në një kohë kur aksionet europiane, që tregtohen me një raport çmim-fitim rreth 16 herë, kanë humbur terren ndaj atyre amerikane gjatë muajve të fundit, pasi Trump ka zbutur kërcënimet më radikale për vendosjen e tarifave dhe fitimet e kompanive amerikane kanë mbetur të qëndrueshme.
Në një hark kohor 10-vjeçar, performanca e aksioneve në ekonominë më të madhe të botës ka qenë dukshëm më e mirë se ajo e Europës. Indeksi “S&P 500” është rritur me mbi 310% në total, krahasuar me vetëm 115% të indeksit “Stoxx Europe 600”.
Sipas të dhënave të platformës “Global SWF”, “fondi NZ Super” që ka nisur investimet në vitin 2003 dhe ka 79 persona në ekipin e investimeve në Auckland, është fondi shtetëror që ka performuar më mirë në 10 dhe 20 vitet e fundit, me një fitim mesatar vjetor mbi 10%.
Dunstan tha se kjo lidhet me faktin se fondi merr “shumë rrezik”, dhe ky rrezik është shpërblyer gjatë dy dekadave të fundit. Ai shtoi se qasja e fondit për të parë gjithë portofolin si një i vetëm i ka lejuar drejtuesit të jenë “mjaft të shpejtë në përshtatje”, gjë që e ka ndihmuar të dalë më mirë se fondet e tjera me strategji të ngjashme rritjeje.
Qasja ndaj portofolit total vlerëson rrezikun në të gjithë portofolin, në kontrast me metodën tradicionale të alokimit strategjik të aktiveve, e cila kufizon mundësinë për ndryshime të shpejta.
Preferenca e “NZ Super Fund”-it për Europën shtrihet edhe në investimet në kapitalin privat, ku Goodwin thekson se ekzistojnë “mundësi të mira”. Ai kërkon menaxherë më të rinj dhe ambiciozë, ku fondi mund të jetë investitor i madh dhe të ndërtojë marrëdhënie të forta me drejtuesit e kompanive ku investohet.
Ai shtoi se edhe pse kapitali privat është një pjesë e domosdoshme e portofolit për shkak të prirjes së kompanive për të qëndruar më gjatë jashtë tregjeve publike, disa fonde të kapitalit privat janë nën presion, pasi investitorët po kuptojnë se “tregu nuk është domosdoshmërisht aty” për nivelet e vlerës që fondet u vendosin aktiveve të tyre.
Aktualisht, rreth 5% e portofolit të “NZ Super Fund” është i investuar në kapitale private. Goodwin tha se nuk pret që kjo klasë aktivesh të bëhet “një pjesë strukturore e madhe” e portofolit të tyre.

