"Grusht" në fytyrën e Veliajt/ Gjykata Administrative rrëzon padinë kundër Ols Dados, gjykatësi Balliu: Ka interes të tërthortë!
Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesëpadinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe Bashkisë së Tiranës ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në procesin që lidhet me emërimin e Ols Dados.
Vendimi u shpall gjatë seancës së 24 korrikut 2026 nga trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Hazbi Balliu. Gjykata vendosi mospranimin për shqyrtim të padisë, duke vlerësuar se palët paditëse nuk kishin legjitimitet procedural për këtë çështje.
Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari Balliu u shpreh se Erion Veliaj ka një interes të tërthortë dhe jo një interes të drejtpërdrejtë në proces.
“Gjykata vlerëson se paditësi Erion Veliaj ka interes të tërthortë, por jo interes të drejtpërdrejtë. Ndërsa Bashkia Tiranë jo vetëm që nuk ka interes të drejtpërdrejtë, por nuk ka as interes të tërthortë.”-tha Balliu.
Gjykata rrëzoi gjithashtu kërkesat për ndërhyrje si palë kryesore në proces të paraqitura nga ish-prokurori Tom Deda dhe shoqata “Asociacioni Kombëtar, Media dhe Drejtësi”.
“Gjykata vendos të refuzojë kërkesën e shoqatës Asociacioni Kombëtar, Media dhe Drejtësi për të ndërhyrë si ndërhyrës kryesor në këtë çështje gjyqësore administrative.”-shtoi gjyqtari.
Po ashtu, u refuzua edhe kërkesa e Tom Dedës për t’u bërë pjesë e procesit.
Pas shpalljes së vendimit, Erion Veliaj u shpreh shkurt për mediat: “Vendimi dihej!”
Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga njoftimi i vendimit të arsyetuar me shkrim.


