PADIA E VELIAJT NDAJ OLS DADOS/ Ndreca kërkon përfshirjen e Shoqatës për Media, avokati i prokurorit e kundërshton: Nuk justifikohet ndërhyrja e tyre

PADIA E VELIAJT NDAJ OLS DADOS/ Ndreca kërkon përfshirjen e

Ka nisur në Gjykatën Administrative procesi gjyqësor mes Erion Veliajt dhe Ols Dados. Veliaj ndodhet në sallën e gjyqit i shoqëruar nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Në seancë po shqyrtohen kërkesat për përfshirjen e palëve të tjera në proces. Avokati Ndreca po paraqet qëndrimin lidhur me kërkesën e Shoqatës për Media dhe Drejtësi për t’u bërë pjesë e çështjes.

“Shoqata ka të drejtë të bëhet pjesë e procesit. Shoqata të mos shikohet si paditëse, por si pjesë në proces”, u shpreh Ndreca gjatë seancës.

Në Gjykatën e Posaçme, nga ana e avokatit Plarent Ndreca janë depozituar disa prova, ndërsa gjatë seancës u bë me dije edhe kërkesa e ish-prokurorit Tom Dedaj për t’u përfshirë në proces.

Nga ana tjetër, avokati i Ols Dados ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së Shoqatës për Media dhe Drejtësi për ndërhyrje kryesore në proces.

“Kemi një akt administrativ individual. Provat e dorëzuara nga avokati i shoqatës janë fletëthirrje që gjykata administrative e ka njoftuar për çështjen, e cila ndodhej në fazën paraprake. Kërkojmë të rrëzohet kërkesa e shoqatës për ndërhyrje kryesore”, u shpreh avokati i Ols Dados.

Gjykata ka bërë me dije se këto kërkesa i përkasin fazës përgatitore dhe vendimi për secilën prej tyre do të merret në përfundim të shqyrtimit ose çështja mund të kalojë për gjykim.

Gjatë seancës është paraqitur edhe një grua që ka kërkuar të hyjë në sallë si përfaqësuese e Erion Veliajt.

Nga verifikimet rezultoi se ajo nuk dispononte licencë avokatie dhe asnjëra prej palëve nuk e njihte si përfaqësuese.

Gjykata ka vendosur që çështjen ta referojë pranë organeve kompetente për verifikim të mëtejshëm.

Procesi vijon me shqyrtimin e kërkesave procedurale të palëve.

 

EMISIONET