Trump vendos kusht për marrëveshjen bërthamore me Arabinë Saudite: Njihni Izraelin ose marrëveshja bie

Trump vendos kusht për marrëveshjen bërthamore me Arabinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja për bashkëpunim bërthamor civil me Arabinë Saudite do të hyjë në fuqi vetëm nëse Riadi njeh zyrtarisht shtetin e Izraelit dhe i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se programi bërthamor do të jetë ekskluzivisht për përdorim civil dhe nuk do të lejojë pasurimin e uraniumit.

“Marrëveshja për energjinë bërthamore civile do të miratohet, por është plotësisht e kushtëzuar me bashkimin e Arabisë Saudite në Marrëveshjet e Abrahamit,” shkroi Trump.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ky kusht i është bërë i qartë udhëheqjes saudite edhe më herët. Zëdhënësja Karoline Leavitt deklaroi se presidenti amerikan ka qenë i prerë në qëndrimin e tij.

“Ai ka thënë se nëse Arabia Saudite nuk i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, marrëveshja nuk do të realizohet.”

Deri tani, Arabia Saudite nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Trump. Riadi ka mbajtur prej kohësh qëndrimin se nuk do ta njohë Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez.

Nga ana tjetër, Izraeli e mirëpriti deklaratën e presidentit amerikan. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e cilësoi anëtarësimin e Arabisë Saudite në Marrëveshjet e Abrahamit si “një hap historik për paqen në Lindjen e Mesme”.

Marrëveshjet e Abrahamit, të ndërmjetësuara nga administrata Trump gjatë mandatit të tij të parë, çuan në normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe disa vendeve arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Sudanin, Marokun dhe Kazakistanin.

Marrëveshja e re SHBA-Arabi Saudite parashikon bashkëpunim në zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore dhe hap mundësi të mëdha për kompanitë amerikane në programin bërthamor saudit. Megjithatë, ajo ka ngjallur debat mes ekspertëve dhe ligjvënësve amerikanë për shkak të shqetësimeve mbi rrezikun e përhapjes së teknologjisë bërthamore në një rajon tashmë të paqëndrueshëm.

Projektmarrëveshja pritet të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, ku, pavarësisht kundërshtimeve të pritshme nga disa ligjvënës, republikanët gëzojnë shumicën e nevojshme për ta miratuar atë.

EMISIONET