AKU "zhduk" mostrat dhe fsheh analizat. Skandali me helmimin e studentëve te Policisë
Ky paradoks, që sfidon çdo logjikë mjekësore dhe shkencore, është konfirmuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në një përgjigje zyrtare për TV Ora News.
Ngjarja e rëndë e datës 25 qershor 2026, ku dhjetëra kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk përfunduan për herë të dytë në spital me simptoma të rënda helmimi, po tentohet të kalojë në heshtje.
Nga analiza e përgjigjes së AKU-së ngrihen dyshime të forta për mënyrën se si është administruar dhe trajtuar procesi i verifikimit.
Ky institucion deklaron zyrtarisht se ka marrë 14 mostra ushqimore në Akademinë e Sigurisë në Sauk dhe 19 mostra në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, ku përgatitet ushqimi nga kompania private “SORI-AL”. Çdo nxënës shkolle e di se 14 plus 19 bëjnë 33 mostra ushqimore.
Por, sipas përllogaritjes së paraqitur nga institucioni, totali rezulton 28 mostra. Kjo ngre pikëpyetje për 5 mostra ushqimore që nuk rezultojnë në bilancin përfundimtar të paraqitur nga AKU.
Por kjo është vetëm një pjesë e problematikës.
AKU, në kundërshtim me parimin e transparencës dhe të drejtën për informim, nuk ka vënë në dispozicion kopje të rezultateve të analizave, ndërsa shprehet se ato kanë përfunduar dhe kanë rezultuar “konform normave”.
Nëse analizat kanë dalë brenda parametrave të sigurisë, mbetet e paqartë arsyeja pse rezultatet e plota nuk janë bërë publike.
Sipas AKU-së, të 59 analizat e kryera për kriteret e higjienës dhe sigurisë ushqimore kanë rezultuar “brenda normave”.
Megjithatë, në të njëjtën përgjigje, institucioni shprehet se “procedura e inspektimit nga ana e DRAKU Tiranë është ende në proces”.
Nëse ushqimi ka rezultuar pa probleme, mbetet për t’u sqaruar se çfarë po verifikohet ende nga Drejtoria Rajonale e AKU-së.
Kjo nuk është hera e parë që kursantët e Policisë së Shtetit përballen me probleme shëndetësore të lidhura me ushqimin nga i njëjti operator catering-u.
Pyetjes se mbi çfarë baze ligjore është lejuar vijimi i aktivitetit të subjektit “SORI-AL” pas rastit të parë të helmimit, AKU i është përgjigjur se “furnizimi me ushqime është pjesë e një marrëdhënie kontraktuale ndërmjet palëve”.
AKU është përballur me kritika për këtë përgjigje, pasi roli i një institucioni kontrollues lidhet me garantimin e sigurisë ushqimore dhe ndërhyrjen kur ekziston rrezik për shëndetin publik, pavarësisht marrëdhënieve kontraktuale.
Ora News ka nisur kërkesa zyrtare për informacion pranë Institutit të Shëndetit Publik dhe Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, për të zbardhur rezultatet e analizave klinike të kursantëve dhe për të hedhur dritë mbi shkaqet e helmimit.



