"287 mbledhje të transkriptuara"/ Peleshi prezanton Kuvendin e ri digjital: IA do të analizojë çdo debat parlamentar

Kuvendi i Shqipërisë po hyn në një fazë të re të transformimit digjital, me përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptimin dhe analizimin e diskutimeve parlamentare.

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, prezantoi bilancin e punës së institucionit dhe risitë teknologjike që pritet të zbatohen në vijim.

Peleshi u ndal te procesi i modernizimit të Kuvendit, ku një ndër zhvillimet kryesore është sistemi i transkriptimit automatik në kohë reale përmes inteligjencës artificiale.

"Gjatë kësaj periudhe Kuvendi është përfshirë në një proces të modernizimit institucional dhe transformimit digjital. Një nga arritjet më të rëndësishme ka qenë implementimi i sistemit të transkriptimit automatik në kohë reale të veprimtarisë parlamentare nëpërmjet inteligjencës artificiale."-tha kryeparlamentari.

Sipas Peleshit, sistemi ka nisur funksionimin prej disa muajsh dhe deri tani ka përpunuar qindra orë materiale nga komisionet parlamentare. Nga mbledhja e parë e transkriptuar në shkurt 2024, janë regjistruar automatikisht 287 mbledhje komisionesh, me rreth 486 orë material të përpunuar.

Tashmë edhe seancat plenare transmetohen me titra të drejtpërdrejta në kanalin e Kuvendit në YouTube, duke synuar rritjen e aksesit të publikut në aktivitetin parlamentar.

Një tjetër projekt i prezantuar është platforma “Media Hub AI”, e cila synon të përdorë inteligjencën artificiale për kërkimin dhe analizimin e përmbajtjes parlamentare.

Përmes kësaj platforme, diskutimet e deputetëve, materialet e arkivuara dhe debatet në komisione do të mund të analizohen sipas kontekstit, duke krijuar një mënyrë të re për kërkimin e informacionit në Kuvend.

"Nëpërmjet inteligjencës artificiale platforma do të mundësojë kërkimin dhe analizimin e përmbajtjes bazuar në kontekstin e diskutimeve parlamentare, duke vendosur standarde të reja transparence dhe qasje në informacion."-theksoi ai.

Përveç teknologjisë, në mbledhjen e grupit parlamentar, Peleshi prezantoi edhe bilancin e punës së Kuvendit gjatë kësaj periudhe.

Sipas tij, gjatë dy sesioneve të para të legjislaturës janë miratuar 131 ligje, ndërsa janë ndërmarrë ndryshime në disa fusha, përfshirë Kodin Penal, Kodin Civil, drejtësinë, konfliktin e interesit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Kreu i Kuvendit e cilësoi këtë legjislaturë si të lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian, duke përmendur 157 amendamente të miratuara për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Në fokus ishte edhe siguria kibernetike.

Pas sulmeve kibernetike të muajit mars, Kuvendi ka zgjeruar bashkëpunimin me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për monitorimin aktiv të sistemeve dhe forcimin e mbrojtjes digjitale.

Me projektet e reja teknologjike, Kuvendi synon një model më të hapur dhe më të aksesueshëm për qytetarët, ku aktiviteti parlamentar të jetë i kërkueshëm dhe i analizueshëm përmes mjeteve të inteligjencës artificiale.

 

EMISIONET