SHQIPËRIA DO TË GJURMOJË PAGESAT/ Shqipëria krijon sistemin elektronik për transaksioneve jashtë vendit
Shqipëria tashmë do të ketë një sistem elektronik për të gjurmuar pagesat e kryera jashtë vendit, si edhe paratë që dërgohen nëpërmjet bankave vendase dhe të huaja.
Bëhet fjalë për ngritjen e një sistemi kombëtar që do të regjistrojë çdo transaksion të kryer nga Shqipëria drejt një vendi jashtë territorit të saj.
Synimi është të parandalohen mashtrimet tatimore dhe mosdeklarimi i të ardhurave, veçanërisht në blerjet online.
Kjo është ajo që parashikon projektligji i hartuar nga Ministria e Financave, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë pjesë të rrjetit të gjerë të pagesave ndërkufitare të Bashkimit Evropian, CESOP.
Risia e këtij projektligji është se, për herë të parë, Shqipëria do të krijojë një mekanizëm të tillë për monitorimin e pagesave ndërkufitare.
Kjo nismë vjen si pjesë e kërkesave që vendi duhet të përmbushë për t'u përafruar me rregullat e Bashkimit Evropian.
Sipas projektligjit, bankat dhe institucionet e tjera të pagesave do të duhet t'u dërgojnë administratës tatimore të dhëna për pagesat që kryhen ndërmjet shteteve.
Më pas, administrata tatimore do ta shkëmbejë këtë informacion me autoritetet tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian.
Kjo do ta bëjë më të vështirë për bizneset që shesin mallra ose ofrojnë shërbime, veçanërisht në internet, të fshehin të ardhurat dhe të shmangin pagesën e TVSH-së.
Sipas projektligjit, këto rregulla të reja do të hyjnë në fuqi në ditën kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.


